“Kam numëruar vitet e mia dhe kam zbuluar se kam më pak kohë për të jetuar sesa kam jetuar deri tani.
Ndihem si ai fëmija që i japin një pako me ëmbëlsira: të parat i ha me kënaqësi, por kur kupton se i kanë mbetur pak, fillon t’i shijojë intensivisht.
Nuk kam më kohë për mbledhje pa fund, në të cilat diskutohen statutet, procedurat dhe rregulloret e brendshme, duke e ditur që në fund nuk do të arrihet asgjë.
Nuk kam më kohë të duroj njerëz absurdë që përveç moshës nuk janë rritur në asnjë aspekt tjetër. Nuk kam më kohë për të humbur në marrëzi. Nuk dua të marr pjesë në takime ku parakalojnë vetëm “Egot” e fryra. Nuk kam më kohë për manipulues, karrieristë, përfitues. Më shqetësojnë njerëzit ziliqarë. Kam pak kohë për të diskutuar për pasuritë materiale ose pozitat shoqërore.
Unë e dua thelbësoren, sepse shpirti im tani është në nxitim.
Tani dua të jetoj mes qenieve njerëzore të ndjeshme. Njerëz që dinë të duan dhe të tallen me gabimet e tyre.
Njerëz që nuk mburren me luksin dhe pasurinë e tyre. Njerëz që nuk u shpëtojnë përgjegjësive të tyre. Njerëz që mbrojnë dinjitetin njerëzor.
Dua të rrethohem me njerëz që duan të jetojnë me ndershmëri dhe drejtësi. Sepse vetëm gjërat thelbësore e bëjnë jetën me vlerë.
Unë nxitoj të jetoj me intensitetin që mund të na japë vetëm pjekuria. Qëllimi im është të largohem në paqe me të dashurit e mi dhe me ndërgjegjen time. Ne kemi dy jetë dhe e dyta fillon kur kupton se ke vetëm një.”
Mário de Andrade (1893-1945), Minha alma está em brisa, 1940
Përgatiti: Albert Vataj