Nga Besjana Lushaj

Para disa vitesh, atëherë kur u kuptua se rënia e Saimir Tahirit ishte e pashmangshme, pranë dyerve të gjykatës ku zhvilloheshin seancat për ish-ministrin e Brendshëm filluan të mblidheshin mbështetës dhe simpatizantë të tij duke lënë për të kuptuar se ky njeri, mirë a keq, i kishte bërë dy njerëz për vete.

Pavarësisht një mbështetje publike modeste, profilit të tij si i sertë dhe garip, Tahiri nuk çeli gojë por në nënshtrim të plotë porositi dy paketa cigare dhe iu drejtua birucës. Saimiri bëri burgun që i takonte dhe mori përsipër dhe hisen e eprorit të tij, sjellje kjo që iu shpërblye me lirimin e parakohshëm nga qelia.

Saimiri paralajmëroi se nuk ka bir nëne a kurve e më the të thashë, hodhi shqelma e nuk u kursye në paralajmërime, por kur laku u shtrëngua iu drejtua qelisë me bisht ndër shalë.

Kur fjala u hap se Lefter Koka do të arrestohej për aferën e inceneratorëve, ai e priti pa show arrestimin e tij. Mesa duket e kishte marrë mësimin nga sjellja e ish-kolegut të tij se llafet e pambështetura në vepra nuk të sjellin asnjë të mirë. Koka si njeri i omertasë, iu drejtua qelisë si hije. Deri me sot ai ia ka kursyer vetes dhe shefave të tij cirkun mediatik.

Alqi Bllako vendosi të veprojë ndryshe nga ish-shefi i tij. Ai iu shmang arrestimit për disa ditë duke i dhënë jetë një zhurme të madhe mediatike. Si guxon Alqi t’i shmanget drejtësisë? Po i dërgon sinjale Ramës? Po shkatërron prova? Apo thjesht në panik e sipër i tha vetes mos u bëj kurban kot? A ishte kjo një arratisje e shkurtër me mesazh?

E kështu lista vazhdon e gjatë, deri në momentin kur i vjen radha Arben Ahmetajt.

U bë shpejt e qartë së radhën e kishte Ahmetaj. Ky i fundit ndjek ritualin e kolegëve të tij dhe shkon tek vendi… tek Fevziu për intervistë.

Aty ai shfaqet i trembur, i dyzuar dhe akoma i gatshëm për të mbyllur ndonjë pazar me ata që e sulmonin ditë e natë në media. Gjithsesi Ahmetaj nuk dukej i gatshëm të shkonte në burg, as për ato që kishte bërë vet, dhe aq më pak për ato që kishin bërë të tjerët.

Ahmetaj çon selam dhe pret.

Përgjigja i vjen nga SPAK-u që nuk kursen asnjë aspekt të jetës së tij. Ai hetohet me themel nga Struktura e Posaçme, aq sa kthehet në objekt qitje për çdokënd. Ai ishte Tigri i financave, me një jetë të shthurur dhe luksoze, i cili me naivitetin dhe arrogancën e një njeriu që e mendon veten të paprekshëm, lë prova kompromentuese në shtëpinë e tij, bashkë me vibratorë dhe lodra seksi.

Struktura e Posaçme kontrollon gjithçka fatura, dokumente, laptopë dhe telefona. Ata nuk kursejnë askënd dhe asgjë. Në qoftë se lagjja e Tigrit do të kishte plaka lagjesh, rrezik dhe ato do të ishin marrë në pyetje në mënyrë rigoroze.

Verë, zagushi dhe Ben Ahmetaj si kryefjalë e asaj vere.

Përtej zallamahisë dhe zhurmnajës, SPAK-u vazhdonte punën si një kupë pitagoriane. Sa më shumë gjendeshin prova inkriminuese për aferat e ish-zv.kryeministrit aq më shumë derdheshin ato në publik. Për pak ditë u mor vesh gjithçka dhe Tigri e nuhati që do i viheshin byzylyqet.

Dhe këtu ndryshon gjithçka…

Në ndryshim nga ish-kolegët e tij Ahmetaj nuk kishte arritur të bënte për vete askënd. Nami i tij i keq si donzhuan dhe hajdut kishte zënë vend me kohë, duke ushqyer një antipati të gjerë në publik. Të gjithë ishin të prirur të besonin se Ahmetaj ishte truri i inceneratorëve. Biles dhe kur shumë gazetarë publikonin dokumente që provonin se Ahmetaj ishte shumë i vogël për të dirigjuar një hajni të këtyre përmasave, të paktë ishin ata që besonin.

Ahmetaj i ikën drejtësisë dhe fillon komunikimin me publikun nga arratia duke akuzuar kryesisht SPAK-un për manipulim provash.

Teksa vjen një ditë – tre javë para se gjykata amerikane të shprehet për pjesën e dytë të aferës Mcgonigal në të cilën është i përfshirë direkt kryeministri i Shqipërisë – ai jep një intervistë në një media e pozicionuar haptazi kundër pushtetit.

Dhe thotë:

  1. Edi Rama më nxori në pritë.
  2. Nuk do të bëhem unë kokë turku për Edi Ramën.
  3. Belinda Balluku dhe Erion Veliaj kanë ushqyer të gjithë propagandën kundër meje, përfshirë atë mediatike dhe diplomatike.
  4. Erion Veliaj është pronari i vërtetë i inceneratorit të Tiranës.
  5. Jam kërcënuar tre herë me jetë.
  6. SPAK-u mu qep pasi më lëshoi Edi Rama.
  7. Follow the money.
  8. Altin Dumani si Robespieri.
  9. Shqiptarët do të llahtarisen nga hetimet për inceneratorin e Tiranës.
  10. Kam informuar tre shërbime të huaja se më rrezikohet jeta.
  11. Shpresoj të mbetem gjallë për intervista të tjera.

Ahmetaj gjatë intervistës u kujdes të përmendte emrin e Blerim Hoxhës dhe gjithashtu u kujdes të harronte emrin e Ëngjëll Agaçit.

Përtej përpjekjeve të tij për ta distancuar veten nga afera e inceneratorëve, përpjekjeve për të minimizuar përgjegjësinë e mikut të tij Mirel Mërtiri, dhe fjalët e mira për Alqi Bllakon, Ahmetaj, ashtu i nënvlerësuar nga të gjithë, arriti nga arratia të thotë e të bëjë atë çka dështuan të bëjnë shumë ish-kolegë të tij. Ai foli…

Botuar në Kumti.net

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *