Nga Arbër Zaimi
Qindra punëtorë të fabrikës së dyshekëve “Comodita” në Gjakovë kanë dalë në protestë. Ata kërkojnë të respektohet orari i punës, të kenë pushim të shtunave, të mos punojnë në ambiente të ftohta, si dhe të kenë rroga pak më të mira.
Mediat nuk po shkruajnë për ta. Ndoshta ngaqë pronar i fabrikës është familja Devolli, që ka në pronësi të sajën shumë biznese e media, e që paguan reklama dyshekësh e jo vetëm te mediat ku nuk ka biznese.
Paradokohësh, kur u zbulua nga gazetari jobiznesor Jeton Sopa se familja Devolli i kishte regjistruar bizneset e saj mediatike në Serbi, e se edhe qytetet e Kosovës i kishte regjistruar si serbe, qeveria deshi të marrë masa, sepse Kosova nuk është Serbi, e sepse mediat me licensë kombëtare në Kosovë nuk mund të jenë me adresë e regjistrim në Serbi. Në atë kohë gazetarët e punësuar në median-pronë të Devollëve protestuan duke thënë se qeveria po ua mbyll gojën – gjë që s’doli të jetë e vërtetë. U solidarizuan me ta edhe shumë gazetarë të punësuar në mediat e tjera.
Por, kush po ua mbyll gojën gazetarëve sot që nuk po e përmendin protestën e punëtorëve? Po të ishin protestuesit punëtorë në ndonjë ndërmarrje publike, do të ishte bërë zhurmë e madhe, edhe pse punëtorët në sektor publik paguhen më shumë se në privat.
Kjo qenka demokracia? Kjo qenka gazetaria e lirë, që shitet e blihet nga korporatat?