Nga Arilda Lleshi
Blegtorët e jugut po protestojnë prej 1 muaji. Shteti nuk ofron asnjë nga shërbimet që duhet të ofrojë për ta ruajtur këtë sektor të ekonomisë.
– Kullotat, për të cilat blegtorët paguajnë, nuk janë të punuara dhe ata detyrohen t’i ushqejnë bagëtitë me ushqim tjetër me kosto ekstra.
– Infrastruktura malore është e vjetër dhe nuk mirëmbahet. Blegtorët shpesh investojnë vetë në të.
– Subvencionet e tyre janë më të ulëtat në rajon, 1200 lekë për kokë nga 24 euro që e ka Kosova dhe 38 euro Serbia (sipas blegtorëve). Në këtë mënyrë, prodhimet e rajonit mbysin prodhimet shqiptare.
– Prodhimet bio nuk shënjohen e shiten njësoj në treg si prodhimet me hormone ose të përziera me elemente të tjera.
– Fondet e IPARD, që jepen pikërisht për këto shërbime, shkojnë për inceneratorin.
Në çdo hallkë që shteti duhet të ndërhyjë, ai është inekzistent. Ndërkohë ish-Ministrja e Bujqësisë propozonte Akademi për Barinjtë, sikur ky ishte problemi i blegtorëve që këtë zanat e kanë të trashëguar dhe e kanë bërë gjithë jetën. Kjo kastë qeverisëse është tërësisht e shkëputur nga realiteti.
Kjo që po ju bëhet blegtorëve është krim. Pavarësisht se stërmundohen fizikisht e financiarisht, ata mezi nxjerrin një jetesë. Ata thonë se do detyrohen të ikin, nëse nuk ndryshojnë kushtet. Deri tani, rreth 35% kanë falimentuar (sipas blegtorëve).