.
Nga Lutfi Dervishi
Ngjarja makabre në Shën Vlash të Durrësit ku sipas raportimeve, krimi në familje i ka marrë jetën një 49-vjeçari, kishte për autor fillimisht vajzën, mandej një prej djemve dhe në darkë të tre fëmijët.
– Po nesër?
Ka një dallim mes punës së hetuesit, policit, prokurorit, avokatit, gjykatësit dhe gazetarit.
Kur tentohet të bëhet koktejl me këto detyra, atëherë viktima më e madhe në një ngjarje tragjike bëhet e vërteta.
Secili krim i bujshëm nuk i ngjan tjetrit, por parimet etike të raportimit vlejnë si për krimin e rëndomtë ashtu edhe për tragjeditë e bujshme.
Ashtu si detektivët e famshëm në romanet policore që i zgjidhin misteret e krimit duke bërë pyetjet e duhura edhe reporterët mund t’i afrohen më shumë të vërtetës duke përdorur metodën Sokratike të mësimit – pyetjet.
– A janë të konfirmuara faktet?
Përpara se të thuhet fjala e fundit në fillim, duhet të sigurohemi se nuk po shpërndajmë thashethemin e fundit.
Ashtu si hetuesi i mirë që verifikon alibinë dy herë edhe gazetari i mirë verifikon, verifikon dhe… verifikon.
– A po kaloj në sensacionalizëm?
Në kohën kur dieta më e vështirë për t’u mbajtur është dieta e sensacionalizmit, sfida më e madhe mbetet distanca nga tundimi për të bërë spektakël.
– A ka nevojë publiku për këtë informacion/detaj?
Mendo për një momet se je kuzhinier. Fakti që ke spec djegës me shumicë, nuk do të thotë ta hedhësh të gjithin në gjellë.
– Çfarë fiton lexuesi?
Thuhet se Sokrati nuk pranonte të dëgjonte një “lajm” pa kaluar filtrin e trefishtë: Është i vërtetë? A është lajmi i mirë? A më vlen mua?
– A janë shmangur detaje të panevojshme?
Prirja e sotme e raportimit është të flasësh sa më shumë, të thuash gjithçka, madje pse jo edhe të japësh pak “mendimin tënd”.
Perfeksioni në raportim nuk arrihet atëherë kur nuk ke se çfarë të thuash më, por kur tekstit të përgatitur nuk ke më se çfarë t’i heqësh.
– A i kam marrë parasysh të gjitha palët?
Ashtu si gjyqtari që dëgjon akuzën dhe mbrojtjen para se të japë vendimin edhe gazetari në raportimin e ballancuar i sheh dhe i peshon të gjitha këndvështrimet
– Ndikimi afatgjatë?
Çudia më e madhe vërtet zgjat tri ditë, por raportimi sot mbetet në internet dhe rrjetet sociale deri në ditën e kiametit. Çfarë ndikimi ka ky raportim për të ardhmen e personave të përfshirë?
– A po e respektoj etikën dhe ligjin?
Etika e gazetarit ka të detajuar parime të përgjithshme kur raporton tragjedi dhe fatkeqësi. Etika është paradhoma e ligjit. Ne mendojmë se ligji duhet dhe është i mirë, por që nuk ka të bëj fare me ne. Fjalën e parë mund ta ketë gazetari, por fjalën e fundit e thotë gjykata. Një ngjarje e këtyre përmasave ka gjithmonë potencialin për të kaluar në 4 “gjykata”. Gjyqin e kafeneve, gjyqin e rrjeteve sociale, gjyqin mediatik dhe gjyqin në sallën e gjyqit.
– Sa burime po përdor në raportimin tim?
A është raportimi im “rënie e fyellit në një vrimë”? I ngjan çiftelisë me dy burime apo ka diçka më shumë? Kujdes! Jo çdo përrua mund të konsiderohet ujë burimi dhe mund të konsumohet!
– A po përdor klishe dhe steriotipe?
Një nga bezditë më të mëdha në raportimin e krimit janë fjalitë bajate. “U largua nga vendi ngjarjes. Policia e ka shpallur në kërkim. Vijojnë hetimet. Një fqinje thotë se ishin njerëz të mirë. Gjitoni i njihte si të paqtë por njëherë e kishte parë shtrembër, etj”.
– Konteksti?
A po raportoj vetëm detajet e krimit të tmerrshëm apo po jap edhe kontekst për të kuptuar diçka më shumë?
– Sprint apo maratonë?
Raportimet e krimeve të bujshme nuk janë sprint, ndaj nuk duhet ngutur për të thënë gjithçka në minutën apo ditën e parë, është maratonë.
Po sikur largqoftë të ishte një i afërmi im, si do të raporohej në këtë rast?
Gazetaria ka ndryshuar dhe po ndryshon vërtet, por parimet bazë kanë mbetur ashtu si vetë shkronjat: G A Z E T A R I