Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale ndaj komenteve dhe kritikave që po shoqërojnë protestat e fundit dhe debatin mbi çështjet mjedisore, duke u bërë thirrje qytetarëve të shmangin gjuhën fyese dhe dezinformimin.
Në një postim të gjatë në Facebook, Rama kritikoi ata që, sipas tij, zëvendësojnë argumentin me sharje dhe thirrje emocionale, ndërsa kërkoi që ambientalistët, qytetarët e shqetësuar dhe mbrojtësit e natyrës të lejohen të shprehin lirshëm qëndrimet e tyre.
Kreu i qeverisë solli si shembull rajonin e Camargue në Francë, një nga zonat më të njohura të biodiversitetit në Europë, ku sipas tij natyra dhe zhvillimi ekonomik bashkëjetojnë me sukses. Rama argumentoi se mbrojtja e mjedisit nuk përjashton zhvillimin, por mund të kthehet në një burim të rëndësishëm për ekonominë dhe turizmin.
Sipas tij, modeli i Camargue dëshmon se ligatinat, lagunat dhe habitatet e mbrojtura mund të ruhen duke u bërë pjesë e një vizioni të qëndrueshëm ekonomik, pa cenuar vlerat natyrore të tyre.
“Natyra nuk është domosdoshmërisht kundërshtare e zhvillimit. Në shumë raste ajo është vetë zhvillimi”, theksoi Rama, duke shtuar se sfida kryesore mbetet gjetja e ekuilibrit mes mbrojtjes së mjedisit dhe përfitimeve ekonomike për komunitetet lokale.
