Nga Bekim Qoku

Sipas censusit të fundit, dy janë kombet më të mëdhenj në Maqedoninë e Veriut, sllavët maqedonas 54% dhe shqiptarët 30%. Megjithëse ka një dallim të ngushtë sasior midis dy popujve, shqiptarët konsiderohen si pakicë, njësoj sikur serbët që janë 1.3 % apo vllehët 0.5%, me të njëjtat të drejta. Kombi mbartës i shtetit, pronarët e vërtetë e tij konsiderohen pa diskutim sllavët maqedonas. 

Në përpjekje për barazi sa më të plotë, shqiptarët u ngritën në kryengritje në vitin 2001. Ajo çfarë fituan ishte një marrëveshje kornizë (e Ohrit) që kanonizonte tani edhe ndërkombëtarisht pabarazinë. Me MO u legjitimua statusi pakicë i shqiptarëve në shtet dhe u miratua ndërkombëtarisht inferioriteti kulturor, ekonomik dhe politik i tyre. Për ta ruajtur këtë pabarazi ekonomike, kulturore dhe politike u kujdes vetë dora e liderit të kryengritësve Ali Ahmeti. Pra, tani z. Ahmeti mund të quhet si mbrojtësi legjitim i pabarazisë midis shqiptarëve dhe sllavëve maqedonas. (Legjitimitetin ia dha lufta çlirimtare?). 

Tani vjen pjesa komplotiste. 

Sa herë që kjo gjendje është luhatur, sa herë që është rrezikuar të prishet kjo skemë pabarazie, kanë ndërhyrë forcat e shtetit të thellë. Po kush mund të jenë këto forca? Këtu mund vetëm të hamendësojmë. Një nga Rothschilldët ka thënë: “M’jepni kontrollin mbi paret dhe as dua ta di se kush i bën ligjet”. Nga 100 kompanitë më të suksesshme të MV, 47 të parat janë në pronësi dhe administrohen nga joshqiptarë. Rreth 93% e pasurisë kombëtare të MV është në duart e joshqitparëve. 

Është imperativ kombëtar dhe i elitës sllavo-maqedonase që kjo pabarazi e administrimit të pasurisë kombëtare të MV të ruhet me çdo kusht. Dhe kush mund ta ruajë atë më mirë? Ai që e ka kërcënuar më mirë. Jepi atij disa poste politike, çfarëdo qofshin ato, rehatoi njerëzit e tij, dhe ai me ata do të rrinë më urtë se një dele që e mjelin. 

Këtu komploti arrin klimaksin e rrëfimit:

Thuhet se vjet (2023) diku në një vend të fshehtë të Maqedonisë së Veriut janë tubuar disa nga figurat e shtetit të thellë, kryesisht oligarkë, përfaqësues të 47 kompanive të sipërpërmendura, disa politikanë të regjur maqedonas, gardianët e këtij sistemi që mbahet në këmbë nga kjo pabarazi midis dy kombeve. Në mesin e tyre thuhet që ka pasur biznismenë të fuqishëm serbë. Gjashtë kompanitë e para, pasurinë e kanë bërë përmes tregtisë me Serbinë. 

Sidoqoftë, kjo kastë e pronarëve të shtetit është shqetësuar si kurrë më parë që Ali Ahmeti dhe BDI-ja kësaj here rrezikohen mirëfilli të bien nga pushteti dhe kësisoj të prishet ky status quo i krijuar me kaq mund dhe mirëmbajtur me kaq sukses të madh deri tani. BDI për ta qenka një storie suksesi. Se sa është e vërtetë kjo, këtë ne mund vetëm ta supozojmë. Por një gjë është e vërtetë, që qarqe të ndryshme maqedonase kanë shprehur shpesh mendimin e tyre publikisht që Ali Ahmeti është aset jetik i maqedonizmës dhe duhet mbrojtur e të ruhet me të gjitha mjetet e lejueshme të palejueshme. A kanë qenë ironik me këso deklaratash, nuk mund të konfirmohet, por ajo që është e vërtetë dhe e konfirmueshme është fakti që BDI dhe Ali Ahmeti, ndonëse kanë lënë trashëgimi me qindra afera dhe skandale të rënda, korruptive, nepotike, raste të montuara politike, etj. vrasje dhe arrestime, kanë vazhduar të mbijetojnë në pushtet pa u hyrë asnjë gjemb në këmbë. Si ka mundësi, si shpjegohet kjo ndryshe?! 

Pastaj, afërsia e MV dhe kombit të ri maqedonas me Serbinë nuk ka qenë kurrë më fortë dhe më solide prejse BDI dhe Ali Ahmeti janë në bashkë-qeverisje. Për serbët dhe Vuçiqin, është meritë e Ali Ahmetit që partia VMRO-DPMNE nga kursi probullgar u zhvendos në atë proserb. Pa Aliun, thonë kjo do ishte e pamundur. Deklarata e fundit e Vuçiqit nuk ishte e rastësishme. 

A janë këto thjesht muhabete të gojëve të liga, nuk i dihet. Faktet e pamohueshme janë se qytetarët janë të dëshpëruar si asnjëherë më parë, ka papunësi, varfëri dhe po e braktisin me të madhe vendin e vet.

Që Aliu dhe BDI duhet dhe VLEN të shkojnë në opozitë, me apo pa teori komplotistë, nuk ka dyshim. 8 maji është një moment i rëndësishëm. Andaj VLEN patjetër të angazhohemi të gjithë për ndryshimin, sepse ai tashmë ka NIS!

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *