Nga Lutfi Dervishi
I tronditur nga lajmi se Skënderbeu hante një viç para betejave, majmuni Kiko po meditonte për faktin se pavarësisht se ishin shkruar me dhjetëra libra, ende për gazetarët shqiptarë të ekranit kureshtja mbetet në nivelin e fëmijës tre vjeç që kërkon të mësojë gjithçka rreth figurës së Heroit Kombëtar.
Këtë radhë në fokus të interesit të gazetarëve, që gjithmonë kanë në qendër interesin publik, ishin kuajt e Skënderbeut.
Për të shuar kureshtjen e gazetarëve dhe për të shterruar debatin akademik rreth kësaj çështje Kiko përdori metodën Sokratike të pyetjeve.
– Sa kuaj kishte Skënderbeu?
– Menaxhimi i kuajve në shekullin e XV ishte pak a shumë si menaxhimi i Uber-it në shekullin 21. Vlerësimet akademike sugjerojnë se Skenderbeu i ndërronte kuajt më shpesh sesa taktikat e tij në fushë të betejës.
– Çfarë race ishin kuajt e Skënderbeut? Ishin vendase apo të importuara nga Arabia?
– E vërteta bazuar mbi dokumenta dhe gojëdhëna qëndron diku në mes, duke sugjeruar se Skenderbeu ishte një avokat i hershëm për diversitetin gjenetik, ndonëse favorizonte produktet vendase.
– A u dhuruan apo u blenë kuajt?
– Ende studiuesit po kafshojnë thonjtë për këtë pyetje. A ishin këta kuaj dhurata të shtrenjta nga Venediku për të fituar favore nga Skënderbeu apo u blenë në pazarin e kuajve të Korçës? Studiuesit italianë anojnë nga dhurata, ndërsa studiuesiht shqiptarë i mëshojnë idesë së tregut të lirë.
– Kosto e kuajve?
– Duke llogaritur inflacionin e sotëm dhe me dobësimin e euros karshi lekut, duket se një kalë kushtonte sa një kështjellë e vogël. Skenderbeu, qartësisht, nuk i kurseu lekët për “kështjella”
– Çfarë emrash kishin kuajt e Skënderbeut?
– Çdo kalë kishte një emër dhe çdo emër kishte një histori. Nga ‘Troku’ te ‘Stuhia’, apo “Kruja” duket se Skenderbeu ishte jo vetëm luftëtar, por edhe një poet i madh kur ishte fjala për gjetjen e emrave simbolik.
– Cila ishte mosha dhe ngjyra e kuajve?
– Historianët sot e dinë me saktësi se mosha e kuajve të Skenderbeut ishte e re. Sa i përket ngjyrës nuk ka ndonjë të dhënë të saktë, por është e pa mohueshme që ngjyrat e kuajve të Skëndërbeut bënin xheloz ylberin. Duket se edhe në mes të betejave të ashpra, qasja estetike e Skënderbeut nuk u vu kurrë në dyshim.
– Numri i patkojve të kuajve?
– Rezulton, se kuajt kishin nga katër patkonj, por masa e tyre mbetet një temë e debatit të ashpër akademik dhe dyluftimeve të herëpashershme mes historianëve tanë dhe atyre të vendeve fqinj
– Ku u stërvitën kuajt e Skenderbeut?
– Vendet e stërvitjes thuhej se ndodheshin në lugina të fshehta, të mbuluara nga mjegulla e malësive të Dibrës, më saktë në qafën e Murrizit aty ku sot një makinë mund të bllokojë gjithë trafikun e rrugës së Arbrit.
– Me çfarë ushqeheshin kuajt e Skënderbeut?
– Preferencat kulinare të kuajve janë sqaruar edhe më mirë se preferencat e Skënderbeut që hante një viç para çdo betejë. Dieta e tyre përmbante produkte organike: tagji, bar dhe në mungesë të tyre kashtë.
– Sa peshonin kuajt e Skenderbeut?
– Pesha e kuajve të Skenderbeut ndryshonte në varësi të racës, intensitetit të stërvitjes dhe dietës. Vlerësimet historike thonë se peshonin 500-600 kilogramë. Këto tanke të kohës së Mesjetës, të njohur për shpejtësinë dhe fizikun e fortë mbanin mbi vete një kalorës të blinduar rëndë jo vetëm nga veshja, por edhe nga autoriteti
– A ishin kuajt miqësor me mjedisin?
– Po. Kuajt e heroit thuhet se kalëronin ekskluzivisht në shtigje miqësore me mjedisin, duke lënë gjurmët të papërfillshme të karbonit.
– Në çfarë gjuhe hingëllinin kuajt e Skenderbeut?
– Tashmë pranohet gjerësisht se kuajt e Skënderbeut ishin poliglot, të aftë për të hingëllirë në disa dialekte; nga shqipja lokale kur ishin në qef, në latinishten klasike kur u duhej të bënin diplomaci dhe osmanishten e kohës kur ankoheshin për punë jashtë orarit.
– A i respektonin kuajt e Skenderbeut sinjalet e trafikut?
– Kuajt i respektonin sinjalet e semaforëve përgjatë rrugëve tregtare, shpesh duke ndaluar të menduar në udhëkryq, ku vendosnin nëse duhet të ecnin me hap kali apo me vrap pele duke kontribuar në sigurinë rrugore për të gjithë udhëtarët mesjetarë.
– A shkaktuan ndonjë aksident rrugor kuajt e Skenderbeut?
– Në një epokë kur masat e sigurisë rrugore diktoheshin më shumë nga kanuni Lekës se sa nga ligjet e Perandorisë, kuajt e Skenderbeut njiheshin për disiplinën e fortë. Aksidentet në mesjetë nuk ishin të rralla, por duket se kuajt e Skënderbeut rrallëherë, për të mos thënë ndonjëherë në të rrallë kishin faj.
– Në çfarë moshe vdiqën kuajt?
– Duke qenë kuaj race dhe nën kujdesin maksimal ato jetuan deri në pleqërinë e thellë, duke vendosur rekorde që habitën jo vetëm veterinerët e epokës, por edhe vetë INSTAT.
– Kush ishte veterineri i kuajve te Skenderbeut?
– Shëndeti i kuajve menaxhohej nga Dr. Patku-Medicus, një figurë misterioze e shkolluar në akademitë më të mira veterinare të Evropës së kohës dhe që fliste rrjedhshëm shqipen mesjetare.
– A i pagoi taksat Skenderbeu për kuajt?
– Skenderbeu nuk ishte vetëm një gjeni i taktikëa, por edhe një taksapagues i bindur, ose më saktë i lindur. Ai deklaroi në tatime çdo kal që kishte në zotërim. Dhe meqë ishte e ditur se ai i fitonte betejat, tatim fitimin e paguante gjithnjë parapagim. Taksat e Skënderbeut kontribuan për mirëmbajtjen e infrastrukturës mesjetare të Arbërisë.
– A ishin stallat investime publike, koncesione apo PPP?
– Stallat e kuajve të Skenderbeut, sado madhështore, me sa duket gëzonin statusin e një PPP (Partneriteti Publik Privat), duke bashkuar fondet publike me kontributet private në kashtë. Kjo qasje inovative siguroi që kuajt të kishin akomodim të mirë, kalori të mjaftueshme dhe shtroje miqësore me mjedisin.
– Kuajt e Skenderbeut anuan nga Lindja apo nga Perendimi?
– Ndërsa gjeopolitikisht neutralë, pëshpëritet se kuajt kishin një anim të lehtë Euro-Atlantik, duke favorizuar galopin e herëpashershëm perëndimor, (drejtimi Dibër- Krujë) megjithëse kishin një dhunti lindore – diplomatë të vërtetë të kohës së tyre.
– A kanë kaluar ndonjëherë kuajt e Skënderbeut në sheshin Skënderbe?
– Ndërsa thundrat e kohës moderne mund të mos shkelin më në këtë terren historik, është pothuajse e sigurt që kuajt e Skënderbeut, gjatë jetës së tyre, kanë kaluar në mos në shesh të paktën 30-40 km anash tij. Kalimet e tyre qofshin për parada, beteja apo thjesht tranzit, kanë lënë gjurmë të pashlyera në kalldrëmet dhe rrugicat e kohës.
– A e kanë vizituar ndonjëherë Italinë kuajt e Skenderbeut?
– Vetë Skenderbeu ishte vizitor i shpeshtë në Itali dhe ka shumë gjasa që disa nga kuajt e tij ta shoqëronin në këto sipërmarrje diplomatike – ushtarake. Bukuria madhështore e kuajve të tij në shtetet italiane, ndoshta ka qenë dhe një demonstrim force dhe kjo besohet se është arsyeja e ndihmës që merrte gjithmonë Skënderbeu sa herë shkonte në Vatikan apo në Venedik.
– Me cilin kalë shkoi Skenderbeu nga Kruja në Kuvendin e Lezhës?
– Udhëtimi nga Kruja në Kuvendin historik të Lezhës, ku Skenderbeu me ndihmën e ambasadorit të Venedikut bashkoi në një tryezë princat shqiptarë kundër Perandorisë Osmane, ishte një rëndësie historike. Kali që e transportoi atë në këtë udhëtim të rëndësishëm ka të ngjarë të ishte një nga të preferuarit e tij, i njohur për besueshmërinë dhe forcën. Edhe pse emri i këtij kali mbetet ende sekret, ai padyshim mban peshën dhe lavdinë e atij momenti kyç në historinë shqiptare.
– A u përpoq shërbimi sekret osman të helmonte kuajt e Skenderbeut?
– Zërat se shërbimi sekret i Perandorisë Osmane thurte plane për të dobësuar aftësitë ushtarake të Skenderbeut duke synuar asetet e tij më të çmuara që ishin kuajt, janë tashmë të konfirmuara nga arkivat osmane. SHISH i kohës zbuloi disa komplote për të futur toksina në tagjinë e kuajve. Fatmirësisht, stallierët vigjilentë të Skenderbeut, të vetëdijshëm për rreziqet, zbatuan masa të rrepta sigurie rreth stallave, duke garantuar sigurinë dhe shëndetin e kuajve.
– A e kanë statusin e veteranti kuajt e Skenderbeut?
– Ndërsa koncepti i statusit të veteranit, siç e kuptojmë ne sot, (i trashëgueshëm) nuk ekzistonte në shekullin e 15-të, nuk ka dyshim se kuajt e Skënderbeut u vlerësuan dhe nderoheshin njësoj si veteranët e kohëve të mëvonshme. Këta kuaj, të shquar për trimërinë dhe qëndrueshmërinë e tyre në beteja të panumërta, shpesh iu bëhej trajtim i veçantë pas shërbimit dhe kujtoheshin në këngët dhe tregimet e epokës. Në përvjetorin e betejave të mëdha u ofroheshin fruta (kryesisht mollë dhe dardha prej Dibre).