Nga Arbër Zaimi
Mbajtja e aktiviteteve të përbashkëta Shqipëri – Serbi, siç mund të jetë kampionati europian i futbollit për kombëtaret shpresa, është skandal aq i përsëritur sa që vështirë të na skandalizojë më. Do të kishte qenë mbase gjë normale, po ta kishte njohur Serbia Kosovën, po të kishte hequr dorë nga agresioni, po të kërkonte falje për krimet e të dënonte kriminelët.
Por, a mund të tejkalohet historia me sport e me art, kur Serbia kaq shumë këmbëngul në përsëritjen e historisë? A mund të vijë paqja me lule t’bukra Tirone, kur Beogradi pa çarë kokën fare garanton lirinë dhe paprekshmërinë e atyre që pranuan me mburrje organizimin dhe pjesëmarrjen në sulmin terrorist të 24 shtatorit në Kosovë?
Në lojën e fundit të kombëtares në mes të tifozëve ishin dhe djemtë e policit dëshmor, Afrim Bunjakut, të vrarë nga terroristët serbë. Ata e kapërcenin dhimbjen duke iu gëzuar flamurit dhe kombëtares. Çfarë u thotë atyre djemve jetimë iniciativa e re e “bosave nga Tirana”, që bashkojnë Shqipërinë me Serbinë?
Në majën e pushtetit politik, biznesor dhe mediatik të Tiranës janë ulur këmbëkryq kapitali dhe nëntoka e Vuçiqit, bashkë me një rrjetë spiunësh e servilësh, të vjetër e të rinj. Që andej tallen me shqiptarët.