Nga Arbër Zaimi
Shumë po shkruajnë tash për rrëzimin e Orbanit, por edhe shumë keqkuptime e “wishful thinking” teksa shumë opozitarë të lodhur nga vitet e gjata të atyre në pushtet, e portretizojnë veten si Magjarë potencialë për vendin e vet.
Orbani erdhi në pushtet si një centrist reformist e neoliberal në kohët kur ende besohej se politika kishte vdekur bashkë me bllokun lindor e bota do të shkonte ngadalë për nga teknokracia – zyrtarët do të punonin gjithnjë e më të specializuar, si termitet, në të mirë të një shoqërie rregullat e të cilës diktoheshin nga logjika e padukshme dhe e pasfidueshme e tregut, e askush nuk do të përpiqej t’i ndryshonte këto rregulla sipas vizionit a ideologjisë së vet. Kjo paraqitej si lojë me shumë pozitive, win-win, të gjithë fitojnë.
Çështja është se njeriu nuk e jeton dot një jetë të automatizuar e pa mision. Ndaj ekziston psh. poezia. Njeriu nuk jeton dot si termitet në kolonitë e tyre labirintike ku secili individ programohet për një rol e s’del dot prej tij.
Ëndrra teknokratike e neoliberalizmit post-politik doli shpejt zhgjëndërr. Jo veç në lindje po edhe atje ku lindi, në perëndim, ajo prodhoi rritjen më të skajshme të pabarazisë qysh prej kohëve moderne. Situata nisi të ngjajë me kohët paramoderne, kur pabarazia ekstreme qe e zakonshme. Këto kondita sollën në pah edhe lëvizje “anti-iluministe” që kërkonin haptazi zhbërjen e efekteve të revolucioneve sociale e shkencore që shënuan lindjen e modernitetit.
Si erdhi kjo pabarazi e lartë? Teknokratët nxituan t’ia vinin fajin korrupsionit, dhe një ideologji e re u përhap mirëmbajtur nga shumë institute e indekse, media e shkolla, ajo e antikorrupsionit. Korrupsioni nuk e linte logjikën e padështueshme të tregut të implementohej e dlirë në shtetin teknokrat. Ky shpjegim ideologjik nuk merrej me faktin se tregjet e lira tendencën drejt rritjes së pabarazisë nuk e kanë difekt, por funksion. Në të njëjtin treg shpesh ai që hyn me një dollar fiton një tjetër dollar teksa ai që hyn me njëqind fiton njëqind të tjera. Win win vërtet, por pabarazia rritet eksponencialisht. Ekonomistët që i dëshmuan këto me studime e statistika u damkosën si heterodoksë dhe u lanë në cep të odës. Ishte më lehtë t’i vihej faji korrupsionit, sidomos me besimet idiote mbi “natyrën e pandryshueshme të njeriut”.
Korrupsioni në fakt u rrit. Së pari, politikani sado naiv të ishte në besimin te teknokracia post-ideologjike, kur shihte pabarazinë që rritej e që e linte shtetin e vet, partinë e vet ose vetë atë “në bisht të urës”, fillonte të joshej nga mendimet se duhet të ekzistojnë disi “shortcuts” për t’ia bërë me hile sistemit e për të dalë pak më përpara në maratonën e pafundme të shteteve, partive a individëve. Ç’fitore e avancim është të hedhësh dhjetë hapa përpara kur Kina i hedh një mijë? Së dyti, në shtetin dhe politikën pa ideologji, pra pa mision emancipues, politikanit s’i mbetej veç të synonte asgjë pos mbajtjen e pushtetit. Klientelat kanë qenë fenomen i moçëm, por kur u zhbënë partitë e lidhura pas përfaqësimeve klasore, vizioneve e programeve ideologjike, atëherë klientelat, klanet e klikat mbetën si të vetmit agjentë mobilizues.
Kësisoj Orbani ishte dëshmitar dhe aktor i kapërcimit tipik, nga teknokracia reformiste te populizmi hiperpolitizues, teksa fillimisht erdh në pushtet si armik i korrupsionit e klientelave, e më pas filloi ta shohë korrupsionin dhe kientelën si mënyrë për të krijuar një farë sovraniteti a avantazhi komparativ në një vend të vogël.
Populizmi që ai artikulonte i shkoi përshtat shumëkujt në lindje e perëndim, sepse tregjet, pabarazia dhe kundërvëniet “me hile” ndaj tyre qenë dhe mbeten fenomen global. Vetë ai e tha: “Në vitet ‘90 shpresonim se Hungaria do të bëhej si Europa, por tash Europa duket se dëshiron të bëhet si Hungaria”. Modestia mungon, por s’është krejt i pasaktë, teksa në Europë u rritën vitet e fundit partitë e ekstremit të djathtë, ushqyer prej dështimit të së majtës në ofrim të një alternative pos “antikorrupsionit”.
Tash Orbani ka humbur zgjedhjet, por në Hungari nuk ka më asnjë deputet të majtë. Vizioni orbanist e ka gdhendur opinionin hungarez sipas modelit të vet. Ka ndikuar shumë edhe në zhvendosjen djathtas të politikës europiane si tërësi. Opozita e Orbanit, qoftë ajo partiake qoftë ajo intelektuale, për vite me radhë ka dështuar ballë tij, duke u delegjitimuar e humbur besimin. Liderë të tillë të bëjnë të mendosh se mund të largohen nëse i kundërshton fort e në gjithçka, por zakonisht kjo është udhë e gabuar. Ata largohen më lehtë nëse ua pranon një pjesë të madhe të arritjeve retorike a reale qofshin, madje edhe i kritikon për mosmbërritjet e vetë atyre çka kanë proklamuar, siç bëri Magjari i vetëparaqitur si Orban 2.0. Liderët si Orbani kalërojnë mbi masa të zhgënjyera e të ideologjizuara rëndë, e për t’i zbritur nga kali që vazhdimisht vrapon, duhet për një kohë dikush që di të kalërojë të njëjtin kalë. A do të mund të ndalet revani i kalit hungarez e i sivëllezërve të tij me ndërrimin e kalorësit? Të shohim.

