Shënim redaksional
Habi dhe zemëratë ngjalli deklarimi i Armando Dukës se Shqipëria ka kërkuar të organizojë europianin e vitit 2027 për moshat U-21 dhe si vend bashkëorganizator ka përzgjedhur dhe Serbinë
Pse pikërisht me Serbinë? Po Kosova?
Pse jo, fjala vjen me Kroacinë, Bullgarinë apo Slloveninë? Serbia nuk ka infrastrukturë futbollistike më të mirë se këto tre shtete.
Dy grupimet kryesore që mbështesin kombëtaren deri në skajet e largëta të kontinentit, reaguan me indinjatë pas këtij njoftimi.
“Plisat” e Prishtinës dhe “Tifozat KuqeZi” kërkuan që FSHF-ja të tërhiqet nga kjo kërkesë të cilën ata e konsiderojnë si antikombëtare dhe antisportive.
Argumenti i Armando Dukës ishte se për organizimin e këtij eventi nevojiten 8 stadiume, ndërkohë që Kosova nuk i plotësonte kushtet.
Retorikë shterpë, anemizëm në argumentim dhe logjikë.
Stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë po rinovohet ashtu sç po rinovohen dhe stadiumet e Mitrovicës dhe Gjilanit. Kampionati zhvillohet në vitin 2027 dhe shtetet organizatore marrin gjithmonë kohë për të ndërtuar stadiume, deri dhe nga e para.
Kosova mori të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare të vitit 2030-të dhe si pjesë të vendeve ku do të garohet përfshiu dhe Shqipërinë. Po Shqipëria pse zgjedh Serbinë? Dyzimi nuk është aspak inatçor, folklorik apo naiv, por krejt i moralshëm, krejt strukturor.
Është vijimësi e dyzimit që shkaktoi alergjia ndaj këngës “Mora Fjalë” në shkallët e stadiumeve shqiptare.
Kozmopolitët e stigmatizuan si këngë vaji, besnikët e kombëtares e gdhendën si himn qëndrese.
Në ndeshjen e fundit në grup ndaj Ishujve Faroe, “Plisat e Prishtinës” nuk u pajisën me bileta dhe pse ndeshja zhvillohej në Tiranë. Festohej kualifikimi në Euro 2024…
Nuk ishte një ogur aspak i mirë dhe dilema të mëdha pasuan në diskutimet publike lidhur me këtë vendim kontrovers të FSHF-së.
Sot, tifogrupet e kombëtares shprehen se ndihen sërish të fyer në ndërgjegjen dhe nderin e tyre kombëtar nga vendimi i fundit i federatës e cila kërkon partneritet me Serbinë.
Sipas tyre, Serbia njeh si pjesë të saj një pjesë të atdheut të tyre, ka synime hegjemoniste ndërsa dashakeqësinë dhe urrejtjen për Kosovën e shfaq pa dorashka kudo, që nga diplomacia deri në shkallët e stadiumeve.
Tifozët qartësisht i brengos një fakt: Mungesa e dinjitetit tonë si komb në raport me fqinjët tanë dashakeqë, pa pendesa për krimet makabre ndaj shqiptarëve dhe me yshtje gllabëruese në të parin rast kur rrethanat e lejojnë diçka të tillë.
Pse Armando Duka po armiqësohet me tifozët e kombëtares deri në këtë përmasë, pasi përplasjet nuk kanë munguar as në të kaluarën?
Si do e presin futbollistët nga Kosova që mbajnë veshur fanellën e kombëtares këtë vendim të Federatës Shqiptare të Futbollit?
Kush kërkon që 14 tetori i 2014-ës të fshihet nga historia?
A po e përçan federata kombëtaren me këtë vendim?
A po formësohet një marrëdhënie armiqësore mes federatës dhe tifozëve të kombëtares, sidomos me ata nga Kosova?
Kujt i shërben kjo klimë?
Këto dilemma sot shqetësojnë jo pak shqiptarë, dashamirës të kombëtares dhe të kombit të tyre.
Koha do të sqarojë disa nga paqartësitë e momentit, sepse një pjesë e dilemave të mëparshme tashmë kanë dalë në dritë të diellit.
Kosova ka qenë shtylla e kësaj kombëtarje në arritjet e saj të derisotshme. Nihilistët dhe mosmirënjohësit, superiorët me palcë inferioriteti po i bëjnë hesapet gabim.