Nga Ermal Mulosmani

Edi Rama ka sharmin, elokuencën, guximin, ekstravagancën, lidershipin dhe mençurinë për të qenë lider. Unë nuk kam kurrfarë dyshimi për këtë dhe asnjëherë nuk ia kam mohuar. Edhe nëse nuk ia kam pohuar haptazi, tërthorazi e kam bërë.

Por Rama ka një problem të madh me veten, narcizmin, delirin. Edhe arroganca e pafre prej këndej buron. Në bindjen e tij, populli që i ra hise të qeverisë është shumë poshtë nivelit të tij, nuk e meriton atë. Mungesa e një populli adekuat për nivele kaq të larta e mundon shumë ndaj i është kthyer në problem, në obsesion. Koha që po kalon, ia shton mundimin.

Fillimisht kishte problem të sundonte i vetëm, pa aleatë që “i bënin si të barabartë”.  Këtë e arriti në 2017-ën duke u qarë se “po më nxin jetën Iliri Meta”. E mbani mend besoj Timonin që nuk mund të drejtohej nga dy shoferë. Qahej studiove me Timon në dorë “ma jepni këtë dreq timoni” dhe shihni se çdo të bëj. Pasi e siguroi Timonin shkatërroi Opozitën. Si e bëri?! Me ndihmën e Lul Bashës, sigurisht. Dhe të surrogatëve. 

Si thanë farisenjtë: 

“Ai i dëbon demonët me ndihmën e princit të demonëve!”.

Ju kujtohet, ndoshta, sesi ua përmendte emrat me njëfarë respekti atyre deputetëve të tmerrshëm që polli lista e Lulit. Kaq mjaftoi! 100 e kusur deputetë e zhdukën njëherë e mirë tmerrin më të madh të Edi Ramës: “Trenin opozitar me shumë vagonë” që nuk lejonte të humbte asnjë votë opozitare.

Pas kësaj iu kthye llastimeve. “Du Shkodrën, Tropojën, Lazaratin”, du të gjitha bashkitë! I mori edhe ato. Një që i prishte punë e futi në burg.

Por tashmë po i ndodh sindroma e atij që pasi ka palluar të gjitha gratë e fshatit joshet nga qyteti. E shpjegon këtë sindrom personazhi i mjekut te novela Amoku:

“ Prej shtatë vitesh në shtratin e tij kishin kaluar veç indigjene të nënshtruara që i jepeshin pa kurrfarë rezistence mjekut të badhë gjerman.  Mjeku numëronte ditët kur do të dilte nga kjo rrjetë  merimange, nga ky kurth dëshpërimi ku fati e kishte degdisur.

“Në një nga këto ditë dëshpërimi në zyrën e tij mbërrin një zonjë e bardhë, aristokrate, e bukur..

E kështuuuu… Tani që në sytë epshorë të udhëheqësit tonë ka mbërritur aristokratja kapriçioze Greqi, ne as jemi në hesap fare. Në emër tonë çfarë nuk do të bëjë të fitojë zemrën e saj. 

Ai do veç një ballkon dhe një turmë. Të tjerat i blen.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *