Nga Enver Bytyçi
Vasfi Baruti është një nga studiuesit më skrupuloz që kam njohur. Ai ka shkruar shumë histori të periudhës së diktaturës komuniste dhe ka portretizuar sipas dokumenteve figurën kriminale të Enver Hoxhës. Ditët e fundit zoti Baruti ka publikuar edhe disa fakte lidhur me dënimin e Ramize Gjebresë nga gjyqi partizan. Kjo ngjarje i përket marsit të vitit 1944. Në këtë dëshmi studiuesi i njohur, përmes dokumenteve arkivore na jep një informacion interesant. Vendimin për pushkatimin e Ramize Gjebresë e kishte hartuar Dushan Mugosha, i dërguari jugosllav pranë partisë komuniste dhe shtabit të Përgjithshëm me komandant diktatorin Hoxha. Arsyeja e kësaj hakmarrjeje të Mugoshës ishte fakti që patriotja e shquar, Ramize Gjebreja, i kishte thënë Mugoshës se “Kosova nuk është Serbi, por është Shqipëri.
Paradoksalisht ky diskurs zhvillohet edhe sot, pas plot 80 vitesh. Atëherë ishte i dërguari jugosllav, Dushan Mugosha, ai që injektoi qëndrimin anti-kosovar të shtetit komunist në ardhje. Sot është direkt Aleksandër Vuçiq, ai që kryen të njëjtin rol si edhe Mugosha. Tito nuk kishte mundësi të mbante kontakte të drejtpërdrejta me diktatorin shqiptar dhe ta kontrollonte atë. Hoxha lejoi padronin e tij, Mugosha, ta formulonte urdhërin e pushkatimit, si shenjë besnikërie e hakmarrjeje, pse Ramize Gjebreja tha që “Kosova është Shqipëri”! Ish-komandanti i Përgjithshëm i asaj që quhej Ushtri Çlirimtare Shqiptare dha urdhër që Ramize Gjebreja të pushkatohej . Midis jetës së një gruaje patriote dhe të bindur në mbrojtje të Kosovës nga njëra anë dhe pushtetit të tij, nga ana tjetër, Enver Hoxha zgjodhi pushtetin. Për këtë i duhej mbështetja e Titos. Dhe kjo mbështetje nga Beogradi do t’i vinte, nëse do të ishin të njëjtit mendim të dërguarit e tij në Shqipëri, Mugosha, Velimir Stojniqi, Popoviçi apo të tjerë ish-komunistë jugosllavë.
Arkiva e zbulon këtë të vërtetë sot pas 80 vitesh. Me urdhër të Nexhmije Hoxhës kjo dhe shumë të vërteta të hidhura mbahen të kyçura në bodrume të errëta. Shumë të tjera janë retushuar, janë ndryshuar me metodat e sigurimit të shtetit dhe sot është vështirë të zbulosh saktësisht atë që ka ndodhur. E gjitha është kryer me qëllim: – Të zhduken gjurmët e krimit dhe tradhtarët e kombit të shihen edhe pas vdekjes si “heronjtë” e tij. Në funksion të pushtetit të diktatorit e aspak të interesave të kombit shqiptar kanë ndodhur të gjitha ngjarjet e periudhës komuniste, ndarjet nga perandoritë, spastrimet, dënimet e pushkatimet politike brenda radhëve të saj, lufta kundër të persekutuarve dhe kundërshtarëve politikë e kështu me radhë.
Po sot? Ne mund të deshifrojmë deklaratat, qëndrimet, vizitat, mimikat, teoritë, sharjet, fyerjet, sjelljen përçarëse të kryeministrit të Shqipërisë, i cili imiton në kushte të reja pikë për pikë paraardhësin e tij, Enver Hoxha e dajon e tij, Spiro Koleka. Dhe duhet të pranojmë se e njëjta gjë ndodh edhe me arkivat e reja që janë krijuar e po krijohen në marrëdhëniet e kryeministrit të Shqipërisë me qeverinë dhe presidentin e Serbisë. Sot Ramize Gjebrenë e përfaqëson opozita shqiptare në Shqipëri, kryeministri dhe presidentja në Kosovë, disa politikanë në qeveri, në parlament e besoj edhe në opozitë të Shqipërisë dhe të Kosovës, të cilët i janë kundërvënë ose i kundërvihen konceptit të Edi Ramës, sipas të cilit “Kosova është Serbi”, e thënë ndryshe nga ai vetë se “Veriu i Kosovës është tokë e askujt”! Ka ndryshuar vetëm forma e retorikës.
Atë që Dushan Mugosha e thoshte më 1941-1944, e përsërit me të njëjtën gjuhë i dërguari i presidentit të Serbisë në Tiranë, Edi Rama. Kush e kundërshton, duhet të përballet me pasojat. Të shpallet non-grata e për këtë të blihen oficerë të lartë të FBI-së amerikane si McGonigal. Ai që kundërshton, duhet të paditet në gjykatë, siç ndodhi me ish-kryeministrin, Haradinaj. Atij i duhen vendosur sanskione e të izolohet, siç ndodhu më 30 qershor 2023, kur Rama anuloi mbledhjen e qeverive të përbashkëta të Shqipërisë e Kosovës në Gjakovë. Ai duhet të injorohet e denigrohet, siç ka ndodhur sërishmi me kryeministrin Kurti nga samitet e Open Balkan. Të injorohet presidentja e Kosovës, siç ndodhi në vizitën e parë të saj në Shqipëri! Shkurt, kush thotë sot se “Kosova është Shqipëri”, e cila përkthehet se “Kosova është shtet”, ai izolohet, akuzohet, denoncohet, përndiqet, etiketohet, e ndoshta edhe atentohet.
Ramize Gjebreja është shembulli më i plotë, që na tregon se ne shqiptarët vazhdojmë të bëjmë të njëjtat gabime, madje ndjehemi krenar për gabimet tona dhe themi “Lavdi Padishahut të Madh”, që “E bëri Shqipërinë të njohur në botë”! Identik, siç ndodhte në kohën e diktatorit Hoxha, kur “besonim” se ai është udhëeheqësi më i madh i botës, sepse kështu na thuhej në libra, në shkolla, në qendrën e punës, në zborin ushtarak, kudo!