Nga Shaban Murati
U thoni shqiptarëve të Luginës së Preshevës që të imitojnë serbët e Mitrovicës
U thoni shqiptarëve të Luginës së Preshevës që, nëse duan të kenë të drejtat supermaksimale si minoritet që ia mbledh qeverisë qendrore dhe institucioneve të shtetit, duhet të imitojnë çfarë bën minoriteti serb në Veri të Kosovës. Minoriteti serb ka ligjëruar vetë të drejtën e paprekëshme të veprimtarisë së lirë kolektive të krimit të organizuar dhe të kontrabandës së organizuar, ka ligjëruar vetë të drejtën e ndalim-hyrjes për ministrat, policinë dhe ushtrinë e shtetit të Kosovës. Ka fituar të drejtën e çuditëshme specifike serbe, të cilën nuk e ka dhe nuk mund ta ketë asnjë minoritet në asnjë shtet ligjor dhe demokratik të botës, që nuk paguan as për energji dhe as për ujin, që harxhon sa i don qejfi. Me këto mënyra ka fituar mbrojtjen e ministrit të jashtëm të BE, Borrell, i cili ngrihet në mes të natës nga gjumi, nëse një mizë nga Prishtina prish sovranitetin e shpallur dhe të pashpallur të minoritetit serb në Veri.
U thoni shqiptarëve të Luginës së Preshevës se duhet të imitojnë minoritetin serb në Veri të Kosovës dhe të bëjnë gjurulldira çdo muaj, që të kujtohet BE, KE dhe OSBE se ka një minoritet shqiptar autokton në Jug të Serbisë, që nuk gëzon as të njëqintën e të drejtave, që shkruhen në konventat europiane për minoritetet, e jo më të ëndërrojë ndonjë të drejtë të barabartë me minoritetin serb në Veri të Kosovës.
U thoni të bëjnë rrëmuja dhe të bllokojnë rrugët kombëtare si t’u ngrihet qejfi dhe të ndjekin modelin serb të djegies së ndërtesave kufitare dhe zyrave doganore e policore siç bëjnë serbët e Mitrovicës, dhe do të kenë mbrojtjen e BE, e cila do t’u thotë siç u thotë tani “përmbahuni” të dy palëve, edhe bandave serbe që djegin dhe sulmojnë shtetin dhe ligjin, edhe policisë së shtetit, që mbron rendin dhe ligjin. Ju kujtohet se sa shpejt e harroi BE që në dhjetorin e 2011 bandat serbe të Veriut të Kosovës dogjën e shkatërruan ndërtesat kufitare e doganore në kufi dhe plagosën 30 ushtarë gjermanë të KFOR-it dhe nuk u hyri gjemb në këmbë dhe nuk u dënua asnjë bandit serb.
U thoni shqiptarëve të Luginës së Preshevës të imitojnë minoritetin serb të Veriut të Kosovës, se ndoshta ashtu do të detyrojnë diplomacinë e Kosovës, që ka 10 vjet që dëgjon në tryezën e dialogut në Bruksel nga BE vetëm “hallet e mëdha” të minoritetit të përkëdhelur serb dhe të drejtën e tij specifike për “republikë serbe” në Veri të Kosovës, dhe kurrë nuk ka folur për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ndoshta metoda serbe e ndjekur nga shqiptarë do të bëjë që diplomacia e Kosovës të kujtohet që për reciprocitet në dialog duhet të kërkojë për shqiptarët e Luginës së Preshevës të njejtat “asosiacione apo autonomi administrativo-territoriale”, që Beogradi kërkon në çdo takim të Brukselit për serbët e Mitrovicës.
Ndoshta kujtohet edhe ndonjë qeveri apo kryeministër i Shqipërisë, që në vitin 2013 para erës sonë, kur shpalli në parlament programin e qeverisë së re, u zotua se do t’i ketë prioritet dhe do të kërkojë të njejtat të drejta për shqiptarët e Luginës së Preshevës si për serbët e Mitrovicës. Në fjalimin e mbajtur në 13 shtator 2013 në parlamentin e Kosovës kryeministri i ri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi solemnisht: ”Përse të mos bëhen të drejtat e pacënuara dhe mirëqenia në Luginën e Preshevës dhe në Veriun e Kosovës lajtmotivi i epokës së re?”.
Duke qenë se kanë kaluar mbi dymijë vjet nga ky zotim qeveritar e ka harruar, por ndoshta po të veprojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës si serbët e Mitrovicës mund të detyrohen arkeologët diplomatikë të qeverisë në Tiranë t’i rihapin shtëllungat e rërës, ku kanë shkruar programin qeveritar të vitit 2013 për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Mendimi i këshilltarëve jugosllave të qeverisë së Tiranës është se qeveria nuk i ka harruar zotimet e vitit 2013 para erës sonë, por ato nuk janë më aktuale, sepse qeveria ka zbuluar tani se këto të drejta të shqiptarëve të Luginës së Preshevës do të realizohen plotësisht në “Ballkanin e hapur” të presidentit serb Vuçiç.
Sidoqoftë, bëni mirë t’u thoni shqiptarëve të Luginës së Preshevës që të imitojnë dhe të veprojnë si serbët e Mitrovicës. Diplomacia europiane lëviz dhe vepron vetëm kur plasin ujrat.
Shkruar në 14.10.2021