Kryebashkiaku i Tiranës vijon të postojë në rrjetet sociale nga qelia e paraburgimit, duke sulmuar sërish drejtësinë dhe mediat për publikimin e pjesëve nga dosja e tij hetimore.
Erion Veliaj i cilësoi prokurorin Olsi Dado dhe mediat si një “grup karnavalesh”, ndërsa procesin e tij e quan një “gjyq kafkian”.
Postimi i plotë:
“Me gjasë, dikush kishte shpifur kundër Jozef K., sepse një mëngjes atë e arrestuan, megjithëse s’kishte bërë gjë.” Kështu nis Procesi i Franz Kafkës, libri kult i absurdit, të cilin mua më ra ta lexoj dhe ta admiroj aq shumë, sa që fati ma dhuroi, përmes një kllouni si Nesti Violina, që edhe ta jetoj, prapa hekurave!
Këtu kemi edhe televizor dhe kështu më bie të shoh sesi “Procesi” im vazhdon të shkruhet në gjirizët mediatikë, nga një grup karnavalesh të bërë bashkë, fut e bjer, duke iu referuar dosjes shumëfaqëshe të idiotësive të Ols Angonit.
Si çdo ditë, i privuar nga liria pa gjyq dhe nga mundësia për t’u ballafaquar me karnavalet nëpër gjiriza apo me Kafkën tim (ndjesë të ndjerit Franz, po Olsi është si kafkë e mbështjellë me shollë), po vazhdoj t’ju argëtoj me “dyshimet e arsyeshme” të akt-akuzës absurde.
Konsulenca e një sipërmarrësi të nderuar si Shkëlqim Fusha, me dy avokate që ushtrojnë lirinë e profesionit pa lejen e Nesti Dados, për një projekt në jug, rezulton në akt-akuzën ndaj meje si korrupsion në Tiranë!

Ja argumentimi i Kafkës tim:
• Ka marrë leje për një bashkëfshatar, shtëpi njëkatëshe në Yrshek;
• Ka marrë mbrapsht garancinë e punimeve në Sheshin Skënderbej;
• Ka marrë pagesë për një nga 7 lotet e pastrimit, kur pastrimin e bënin privatët në Bashkinë e Tiranës.
Kuptuat gjë? Me siguri jo! Po ama, Shkëlqim Fusha është shtrënguar me masën “detyrim paraqitje” për këtë poezi hermetike të violinistit dështak, që më tha: “Mos kujto se vetëm ju keni haber nga arti, unë kur isha i vogël i bija violinës!”
Pra, me durim: Viktima e Nesti Dados për shkakun tim, që kurrë s’kam dhënë e marrë me të asnjë favor të asnjë natyre, Shkëlqim Fusha, ka paguar dy avokate. 9 mijë euro! Për punët e tij në Vlorë e Himarë. Por, meqë këto të dyja njihen me avokaten që kam në shtëpi, pra Ajolën, ky është korrupsion, sepse Shkëlqimi ka marrë punë nga bashkia dhe të njohurat e sime shoqeje kanë marrë punë nga Shkëlqimi.
Leja e ndërtimit është një e drejtë pa konkurrim, pra e merr ai që e ka tokën ose kontratën me pronarin e tokës. Ols Angoni, si pronar ndërtues, e di mirë këtë, ndërsa unë as nuk e di kush është ky Gentian Karaj, që paska bërë shtëpi njëkatëshe në Yrshek, siç nuk di dhe s’kam detyrë të di kush janë pronarët e pafundëm që marrin leje në Bashkinë e Tiranës.
Garancia e kontratës është detyrim ligjor që çdo subjekt ta ketë përpara se të nisë një punë, dhe nëse puna kryhet sipas standardeve, ajo (garancia) i kthehet subjektit. Pra, nuk është pazar, negociatë, opsion apo korrupsion! Plus, kompania “Fusha” ka punuar për Sheshin Skënderbej edhe në kohën e hovit të Edi Ramës, edhe në kohën e pampersit të Lul Bashës, edhe në kohën time.
Fusha ka marrë “këstin mujor të lotit të pastrimit”, e po pastaj?! Fusha ka bërë pastrimin në Tiranë që nga viti 2000 gjer në 2024, kur Bashkia e kaloi 100% si shërbim në kompani publike.
Dhe për të gjitha këto “favore”, ky sipërmarrës i ka dhënë 9 mijë euro për konsulencë juridike një të njohurës së gruas sime, e cila, sipas Ols Violinës, meqë njeh gruan time, ka bërë korrupsion për mua që nuk e njoh, por që me mendjen e Nesti Dados ia kam dhënë Fushës gjithë sa më lart, për t’i marrë 9 mijë euro përmes një të panjohure që njeh gruan time.
Natyrisht, Olsi ka të gjithë imbecilitetin dhe malinjitetin ta fantazojë e ta shkruajë në emër të drejtësisë së re këtë skeç satirik në lëkurën time, por nuk ka kokërr prove, ama, që ta mbështesë, përveç bindjes së tij absolute se “ku ka një grua, ka një dyshim të arsyeshëm.”
Kuptuat gjë? Me siguri po thoni: “Po flet përçart Lali!”, por jo. Fatkeqësisht, këto Lali i ka dëgjuar nga Kafka i tij atë ditë, kur i vajta në audiencën haluçinante, dhe i ka lexuar në dosjen që Kafka i dorëzoi Kasapit, e Kasapi i vuri vulën e arrestit me burg.
Domethënë, Fusha në Yrshek ka bërë një kat shtëpi fshati për një nevojtar që kërkonte sevap; në Shesh ka marrë hakën pas garancisë që vetë vuri e që i takon; dhe në shërbimin e pastrimit ka marrë kusurin, pasi janë zbritur punët e pakryera.
Zotërisë i është dhënë leja për sevapin, haka për punën dhe kusuri për shërbimin. Këto i njeh ligji dhe kodi etik e shoqëror.
Saktësisht çfarë nuk njeh Kafka im: Ligjin dhe Kodin Etik, se atë shoqërorin është gjynah t’ia kërkosh një individi të devijuar psiko-emocionalisht, sa nga violina dhe sa nga trampolina.
Si i tillë, ai njeh për “sevap” marrjen përdore për t’u bërë nga violinist-noter-ndërtues-zëmarrës-zëdhënës-prokuror-persekutor. Në vend të hakut njeh “hakmarrjen” për katet që s’i takonin kur telefononte me atë zërin si violinë në sordinë: “O kryetar, si i bëhet me atë lejen time?” dhe si kusur ai kupton shërbimet banale me letra anonime!
Procesi i Kafkës tim vazhdon. Qofshi me shëndet dhe paçi një ditë të mbarë!