Nga Sokol Kolgjini


Mendoj se arsyeja kryesore pse ne shqiptarët kemi mbetur në primitivizëm dhe ndër më të fundit në renditjen e kombeve të zhvilluara europiane është konflikti i lashtë midis Gegëve dhe Toskëve.

Mendësia e krijuar qëllimisht për të mos përmendur ekzistencën e këtij konflikti është pengesa kryesore për zgjidhjen e tij. Pranimi i problemit është fillimi i zgjidhjes.
Zgjidhja e këtij konflikti është rruga e vetme për mbijetesën dhe zhvillimin tonë si komb.

Rrënjët e konfliktit

Konflikti Gegë–Toskë është i hershëm, ndoshta që para kohës së Skënderbeut e Muzakajve, dhe ka vazhduar deri më sot. Thelbi i tij ka qenë dhe mbetet çështja e sundimit – kush sundon kë?
Ky konflikt është shkatërrimtar sepse na ka bërë të luftojmë me njëri-tjetrin, jo me armiqtë tanë të vërtetë. Pushtuesit kanë ditur ta nxisin dhe ta përdorin këtë për interesat e tyre, duke e shfrytëzuar si mjet për dobësimin tonë të brendshëm.

Ne kemi devijuar aq shumë, sa shpesh kemi pranuar të bashkëpunojmë me pushtuesit vetëm që të mos sundohemi nga i ngjashmi ynë. Kështu kemi humbur territore dhe vetëbesim, e nëse nuk e pranojmë këtë realitet, do të vazhdojmë të humbasim edhe në të ardhmen.

Heshtja si problem

Kushdo që guxon të përmendë këtë konflikt, shpesh sulmohet si “ndarës kombi”. Kjo është një strategji e qëllimshme nga ata që përfitojnë prej përçarjes.
Mohimi i ekzistencës nuk e shuan një plagë – përkundrazi, e kalb më tepër nën sipërfaqe. Vetëm pranimi dhe përballja e hapur mund të hapin rrugën e shërimit.

Rruga drejt zgjidhjes

Pranimi i konfliktit si problem, debatet e hapura pa paragjykime, përplasja konstruktive e ideve dhe nxjerrja në pah e pasojave që ai ka sjellë do të ishin fillimi i duhur për një proces paqëtimi kombëtar.
Mospranimi na ka lënë pezull, pa mundësi për të formuluar një qasje teknike dhe morale për zgjidhjen e tij. Ndoshta, është koha për të hartuar një platformë të qartë për trajtimin e kësaj çështjeje.

Pse duhet filluar nga Shqipëria?

Të nisur nga interesa sundimi të njërës palë mbi tjetrën, udhëheqësit tanë kanë rënë shpesh pre e planeve të huaja që kanë cenuar interesin kombëtar.

Shqipëria zyrtare shpesh e sheh bashkimin me Kosovën vetëm nëse mund ta ketë nën sundim, duke krijuar artificialisht ndjenja inferioriteti te qytetarët e Kosovës ndaj “nanës Shqipëri”.
Ky qëndrim ushqen një ndasi të fshehtë që pengon bashkimin shpirtëror dhe politik të shqiptarëve.
Sot, më shumë se kurrë, duhet të kuptojmë se nëse nuk ndryshojmë qëndrim ndaj njëri-tjetrit, rrezikojmë të zhdukemi si komb. Zgjidhja e këtij problemi duhet të nisë nga Shqipëria.

Propozimi: Reforma e re territoriale
Shqipëria ka nevojë për një reformë administrative–territoriale që do të ndryshonte thelbësisht mentalitetin politik dhe social.

Propozimi im konkret:


• Ndarja e Shqipërisë në tri zona (lande/kantone/stane): Gegnia, Tosknia dhe një zonë e përbashkët administrative (p.sh. Tirana).
• Zona e përbashkët të ketë Presidencën, Ushtrinë dhe Diplomacinë – institucione që do të funksionojnë me rrotacion.
• Secila nga dy zonat kryesore të administrojë vetveten në mënyrë juridike dhe financiare.
• Të zbatohet një model administrativ federativ ose konfederativ, i ngjashëm me Zvicrën.
Përparësitë e mundshme
• Fund i konfliktit Gegë–Toskë dhe shuarje e tendencës për sundim të njërit mbi tjetrin.
• Zhvillim i pavarur ekonomik i secilës zonë, me shfrytëzim efektiv të burimeve.
• Rritje e mirëqenies dhe e ndjenjës së krenarisë kombëtare.
• Bashkimi me Kosovën si strukturë e barabartë, jo si shtesë e thjeshtë.
• Nxitje e vetëdijes kombëtare te shqiptarët e asimiluar në trojet përreth.
• Krijimi i kushteve për një (kon)federatë shqiptare moderne dhe funksionale.
Pengesat
• Mentaliteti i vjetër i sundimtarit, jo i qeverisësit.
• Interesat përfitues të palëve që përfitojnë nga përçarja.
• Nxitjet e jashtme për të ruajtur status quo-në e konfliktit.
• Ne vetë, kur nuk duam të shohim përtej vetes.

Thirrje për veprim

Është koha për një Kuvend kombëtar me individë që e pranojnë ekzistencën e këtij problemi, që ndjejnë nevojën e zgjidhjes dhe që kanë ide për ta çliruar kombin nga ky rreth vicioz.
Kosova është çliruar nga Serbia; tani duhet të çlirojmë vetveten nga konflikti ynë i brendshëm, i cili na pushton që shekuj.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *