Nga Hasan Bello
Banditizmi shoqëror është një koncept i trajtuar bukur në librin me të njëjtin titull të historianit të njohur Eric Hobsbawm. Por kur i ka fillesat bashkëpunimi i politikës me banditët në historinë moderne të Shqipërisë?
Kjo fillon që me Shpalljen e Pavarësisë, kur Ismail Qemali, për interesa politike, bashkëpunon me një bandit lokal, Sali Muratin. Sipas një shkrimi të Ali Asllanit me titull “Rreth babait të madh të Shqipërisë”, botuar më 11 gusht 1944 në gazetën “Bashkimi i Kombit”, për këtë ai u kritikua nga një pjesë e intelektualëve dhe patriotëve të kohës. Sipas tyre, ai kishte filluar të thërriste në shërbim bashibozukë. Një nga këta ishte Sali Murati nga Vranishti i Vlorës, i cili, së bashku me disa shokë, ishte i arratisur në male dhe ndiqej si keqbërës. Por Ismail Qemali i fali të gjithë.
Kështu, Sali Vranishti, nga një grabitës karvanësh, u kthye në një mbrojtës të qytetit nga hajdutët. Kjo bëri që kritikët e Ismail Qemalit të talleshin, duke thënë mes njëri-tjetrit se ai e kishte emëruar Sali Vranishtin Drejtor të Përgjithshëm të Sigurimit Publik. Për këtë kanë shkruar shumë bashkëkohës të Ismail Qemalit, madje edhe shtypi i huaj.
Në fakt, në fund të shekullit XIX, kur Ismail Qemali ishte drejtues i sanxhakut të Bolusë (sot qytet në Turqi), një nga problemet me të cilat do të përballej ishte banditizmi. Përvoja e fituar këtu i shërbeu që këtë praktikë ta aplikonte edhe në Shqipëri.
Sidoqoftë, Ali Asllani shkruan se Sali Vranishti u bë besnik i Atdheut dhe mori pjesë në disa luftime kundër armikut, duke e zbukuruar kraharorin e tij me plumba.
A është ky një argument që politikanët duhet të bashkëpunojnë me banditët? Fakt është se, që prej kësaj periudhe deri në ditët e sotme, me këtë kategori sociale ata kanë “raporte pune”. Për hir të interesave të Atdheut apo jo, këtë nuk mund ta themi.
(Ndërsa i biri i Sali Vranishtit, gjatë luftës, u bashkua ose u rekrutua për të njëjtat arsye nga komunistët. Më pas u dërgua në BS për t’u shkolluar si oficer i Sigurimit të Shtetit, ku gjatë ushtrimit të detyrës, para dhe pas luftës, u shqua për krime të ndryshme.)

