Çmimi i naftës ka shënuar rritje në pikat e karburantit në Durrës mëngjesin e kësaj të premteje. Një litër naftë po tregtohet me 182 lekë, nga 175 lekë që ishte më parë, duke regjistruar kështu një rritje prej 7 lekësh.
Sipas raportimeve nga tregu i karburanteve, rritja lidhet me zhvillimet në tregjet ndërkombëtare, ku çmimi i naftës në bursa është rritur ndjeshëm gjatë javës së fundit. Aktualisht, një fuçi nafte kushton rreth 20% më shumë krahasuar me një javë më parë.
Ndikim në këtë situatë kanë edhe tensionet dhe konflikti në Lindjen e Mesme, të cilat kanë krijuar pasiguri në tregjet e energjisë dhe në rrugët e furnizimit.
Ekspertët paralajmërojnë se nëse lufta zgjatet dhe preken rrugët tregtare apo rafineritë e naftës dhe gazit, çmimet e karburanteve mund të rriten edhe më tej.
Ndërkohë, qeveria ende nuk ka bërë të ditur ndonjë plan konkret për të frenuar rritjet e mundshme abuzive në treg, ndryshe nga Kosova, e cila ka vendosur një tavan për marzhin e fitimit në tregtinë e karburanteve.
Sipas Shoqatës së Hidrokarbureve, nëse presioni në tregjet ndërkombëtare vazhdon, çmimi i naftës në vend mund të rritet deri në 20 lekë për litër në periudhën në vijim.

