Nga Agim Morina

“Po mirë, mirë, me Serbinë, po me Shqipërinë çka patët?

Kryetarja e Kosovës, zonja Vjosë Osmani, në intervistën e saj të fundit bani rrëfim si në kishë. Por, rrëfimi në kishë supozohet me qenë krejtësisht i/e sinqertë, përndryshe mëkatet nuk lahen, tue qenë se ai Miku i Padukshëm Qiellor sheh dhe din gjithçka.

Sidoqoftë, intervista në përgjithësi ishte e matun, pa atë zemërimin e atij çasti të krenarisë me vendimin për shpërndamje të Kuvendit. Megjithatë, intervista u përshku nga kundërthanie të vazhdueshme që dëshmonin se zonja Osmani edhe ishte kurthu, edhe ishte vetëkurthu. Po i përmendim vetëm tri pika ilustrative që e dëshmojnë këtë: Edi Ramën, opozitën dhe Shqipërinë.

1. Edi Rama

Në intervistë zonja Osmani u pyet rreth Edi Ramës, rreth qëndrimeve të tij rreth Kosovës dhe raporteve me Serbinë. Kryetarja u soll rrotull e rrotull dhe u ndal në një pikë të një kërcënimi që i ishte ba asaj:

«Sikur këta njerëz ta shfrytëzonin vetëm 10 për qind të kësaj urrejtjeje, kësaj energjie negative, të këtyre sulmeve, që në fakt të merreshin me Serbinë, jo me presidenten e republikës së tyre, të zgjedhur nga vota e popullit dhe të konfirmuar në parlament. Po sikur kjo energji, sikur këto sulme, në fakt, të drejtoheshin në raport me Vuçiçin, nga presidenti i Serbisë, i cili kreu akt agresioni ndaj Kosovës, Kosova do të arrinte shumë.»

Kështu i bani bisht përgjegjes rreth zotit Rama. Nëse ky kusht i energjisë prej 10 për qind vleka për urrejtësit e zonjës Osmani, a thu pse kjo nuk vleka edhe për vetë Edi Ramën, për të cilin asaj iu shtru pyetja? Pse zonja Osmani nuk kërkoi nga Edi Rama që 10 për qind të energjisë që po ia kushton Serbisë, m’ia kushtu edhe Kosovës?

Edi Rama nuk asht politikan, ai asht matrapaz politik. Ai asht autori i asaj thanieje kundër Trumpit: “Fitorja e Donald Trumpit do të jetë një kërcënim për vetë Amerikën, por edhe për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Mos e dhashtë Zoti që të zgjidhet president”. Dhe për me fitu simpatinë e Trumpit, i cili fitoi zgjedhjet e para, e shpagoi me shitjen e pronave në ishullin e Sazanit. Pra, një palaço i këtillë mundet me prodhu vetëm një Shqipni të rraskapitun prej një klase politike të pamend prej shum dhjetëvjeçarësh.

2. Dhelpnitë e Abdixhikut

Zonja Osmani nuk e kishte kuptu që një dhelparak, çfarë asht Lumir Abdixhiku, me gjithë premtimet e thata që ia ka thanë asaj se ka me përkrahë, në tri takimet me zotin Kurti, ai nuk i ka thanë të njëjtat fjalë. Domethënë, zoti Abdixhiku, për me shkaktu një çamje të thellë mbrenda koalicionit Lëvizje Vetëvendosje dhe Guxo, përdori zonjën Osmani, tue i thanë asaj fjalë të tjera prej çfarë i thoshte zotit Kurti.

Zoti Abdixhiku ka llogaritë që me një goditje kish me rrëzu edhe zonjën Osmani, edhe zotin Kurti në skenën e Kuvendit të Kosovës, para kamerave televizive.

Zonja Osmani, e verbueme prej ambicies për me u ba prap kryetare, ka ndëgju dhe e ka pranu si të mirëqenë gjysën e ambël të premtimit të zotit Abdixhiku se ka me përkrahë kandidaturën e saj për kryetare. Ndërsa zoti Kurti ka kërku garanci të plotë në procesin e votimit, pra është marrë me gjysmën tjetër praktike që kish me i siguru 81 vota.

Në tri takime me zotin Kurti, zoti Abdixhiku asnjëherë nuk ka thanë, as nuk ka siguru se të gjithë deputetët e LDK-së kanë me qëndru në sallën e Kuvendit. Nëse vetëm një deputet do të mungonte, zgjedhja e kryetarit do të dështonte.

3. Shqipnia

Vijmë te pika ma e ulët në të cilën ra zonja Osmani gjatë intervistës së saj:

«Dihen dallimet që i kemi pasur me të [me Edi Ramën]. Akoma qëndroj në çdo milimetër, edhe për “Open Balkans” edhe për çështje të tjera. Por ne si Republikë e Kosovë kemi qenë këto vite në një situatë sfidash të mëdha. Na janë dashur aleatë të Kosovës. Kur vizitoja vende të ndryshme dhe flisja për Serbinë, përgjigjja që merrja ishte kjo: “Po mirë, mirë, me Serbinë, po me Shqipërinë çka patët?”»

Pra, zonja Osmani tha se qëndron në po ato bindje që ka pasë për “Open Balkans” dhe për mospajtimet me Ramën. Por të qëndrosh në ato bindje dhe të veprosh tue u nisë prej atyne bindjeve janë dy gjana krejt të ndryshme.

“Open Balkans” ishte projekt kryekëput i Vuçiçit për me defaktorizu Kosovën politikisht. Në këtë projekt, Edi Rama ishte vetëm bashkëpunëtor.

Nëse asht e vërtetë se dikush i paskësh thanë zonjës Osmani: “Po mirë, mirë, me Serbinë, po me Shqipërinë çka patët?”, atëherë ky mundet me qenë ndonjë politikan proserb e prorus. Asnjë politikan serioz i Kosovës nuk e ka vu në lojë Shqipninë deri në këto kusuritje politike.

Me e barazu Shqipninë me Edi Ramën shkon përtej naivitetit politik dhe bahet ligësi politike.

Populli i Kosovës e ka një dashuni të pakusht për Shqipninë, tue e pa veten si pjesë të saj. Prandej, me shpërdorë Shqipninë në këto debate asht, me thanë ma së buti, veprim i paturp.

Në fund, autori thekson se megjithëse Vjosa Osmani ka ba punë të vyeshme për Kosovën dhe e ka përfaqësu vendin ma mirë se shumë kryetarë para saj, pranimi i saj me u manipulu nga njerëz si Rama e Abdixhiku tregon se ajo ka ende çka me mësu në politikë.

Kosova meriton ma shumë mirëkuptim dhe ma shumë sakrificë sesa me kallë jorganin për një plesht, për pleshtin e një ambicieje politike.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *