Nga Bajram Mjeku
Përmes medieve kuptova se paska ndërruar jetë akademik Rexhep Qosja, njëri nga personalitetet më të diskutuara në botën shqiptare.
Në gjysmën e dytë të viteve tetëdhjetë, kur ndiqnim kurset e letërsisë në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës, profesor Qosja ligjëronte lëndën e Estetikës, njëra ndër lëndët më interesante, e cila më intrigon edhe sot.
Sa ishte gjallë, sa herë binte fjala për profesor Rexhep Qosjen—veçanërisht nga fillimi i viteve nëntëdhjetë e deri në këto çaste kur i shkruaj këta rreshta—personaliteti i tij ka nxitur debate nga më të ndryshmet dhe nga më të zjarrtat. Një fakt nuk do ta lë anash asnjëherë: të gjithë ne që ishim studentë të tij e kemi dashur shumë profesor Qosjen; madje, jo rrallë, edhe e kemi himnizuar. Prandaj nuk ka munguar kujdesi për t’u shprehur për personalitetin e tij.
Në botën shqiptare, jo rrallë mungon vija ndarëse—apo, thënë figurativisht, ajo “Vija e Teodosit”—midis të qenit ligjërues, si në rastin e profesor Qosjes, dhe bindjes ideologjike. Ky është një hendek i madh, të cilin, fatkeqësisht, në botën shqiptare ende nuk kemi mundur ta tejkalojmë.
Jeta e profesor Qosjes ishte e veçantë nga ajo e ligjëruesve të tjerë. Asnjëherë nuk e kemi parë duke drekuar në ndonjë restorant dhe, më shumë se kaq, nuk e kemi parë duke pirë kafe në byfenë e profesorëve të Fakultetit Filologjik. Kjo nuk ndodhte për shkak të mendjemadhësisë apo sedrës së tij, siç thuhej jo rrallë atëbotë, por ishte mënyra e tij e jetesës.
Profesor Qosja ishte një intelektual me sedër malësori. Ende besoj—si kur ishte gjallë, ashtu edhe tani kur ka ndërruar jetë—se kjo e fundit e ka dëmtuar shumë në botën shqiptare; prandaj, në tre dekadat e fundit, jetoi pothuajse i vetmuar.
Personalisht, me profesor Qosjen kam ruajtur raporte të mira, pavarësisht opinioneve të tij politike dhe pavarësisht atyre që fliteshin e shkruheshin kundër tij.
Një ditë të zymtë shkurti të vitit 1995, kur regjimi policor serb kishte shtrirë gjerë e gjatë robërinë e tij, u takuam me profesor Qosjen në një dyqan në Kodër të Diellit, ku banoja edhe unë. Profesori, pa u hamendur, më tha:
— Sot do të hamë mëngjes në shtëpinë time!
Gjatë kohës që hanim mëngjes, në portën e shtëpisë së tij u dëgjuan dy trokitje. Profesor Qosja hapi derën dhe e ftoi mysafirin brenda. Ishte heroi Zahir Pajaziti, të cilin nuk e njihja; u përshëndetëm vetëm me tundje kokash. Për ta siguruar atë, profesori i tha se unë isha një nga studentët e tij. Me heroin Zahir Pajaziti, profesor Qosja zhvilloi një bisedë të shkurtër në hollin e shtëpisë dhe, pa u vonuar, u kthye për të vazhduar mëngjesin. As e pyeta, as më tregoi kush ishte. Zahir Pajazitin e identifikova dy vite më vonë, kur ai, së bashku me heronjtë Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, ranë në një pritë të organizuar nga forcat serbe.
Nuk do ta harroj kurrë ligjëratën e fundit të profesor Rexhep Qosjes në pranverën e vitit 1989 në Fakultetin Filologjik. Kur i thamë se kjo ishte ligjërata e fundit me të, profesorit i ndriti buzëqeshja në fytyrë, duke na uruar fat e shëndet në të ardhmen dhe duke folur për gjendjen e rëndë politike që po na trokiste në derë.
Në ligjëratën e tij të fundit me ne, profesor Qosja nuk komunikonte më në raportin profesor–student; ndjeshmëria e tij rrezatonte sikur të gjithë ne të ishim fëmijët e tij.

