Nga Mehmet Elezi
Për Fjalorin e madh, që ka hedhur Akdemia në linjë, emri “glli” ka kuptimin “pishë e zezë, lat. Pinus nigra”. Këtë kuptim Fjalori e ilustron me katër togfjalësh: “gllia e bjeshkës, gllia e butë, gllia e kuqe, gllia e malit”.
“Glli” nuk është tjetër veçse “dëllinjë” (lat. Juniperus communis). Në Shqipërinë Verilindore e në Rrafsh të Dukagjinit ndodh ndërrimi i “d” në “g” para bashkëtingëlloreve të lëngëta. Thuhet “glli” për “dëlli/ dëllinjë”, “glir” për “dlir/dëlir” (folja “me glirë”, përkatësisht “me dlirë”).
E kishte vënë re edhe mjeshtri Çabej, e thotë kur shjellon “dëllinjë” (“Studime etimologjike në fushë të shqipes” III, Tiranë, 1987, fq. 222). Madje para bashkëtingëlloreve të lëngëta ndodh jo vetëm ndërrimi i “d” në “g”, por edhe ndërrimi të ngjashmeve të tyre “t” në “k”. Krahaso “tlina/ tlinda” (prej “të linjta”) dhe “klina/ klinda”. E njëjta fjalë me ndërrimin e përmendur më sipër.
Po të ishte lexuar Mjeshtri, çka e kanë për detyrë dhe studentët e gjuhës shqipe, do të parandalohej alkimia e shndërrimit të dëllinjës në pishë të zezë. Dëllinja është shkurre, pisha e zezë sulmon qiellin.
Shpjegimi në FMGJSH është edhe kontradiktor: gllia qenka “pishë e zezë”, por, megjithëse është e zezë, paska edhe “glli të kuqe, glli të butë”!
Pa hyrë te shumësi: nuk është “gllitë”, siç e jep FMGJSH, por “glliat”, ngjashëm me shumësin e “dëlli(një)”, që nuk është “dëlli(nj)të” por “dëlli(nj)at”.
Në fëmininë time për Ditën e Verës digjnim gllia. Fillonim me i mbledhe dy muaj përpara shpatinave me borë, dhe e bënim grumbullin shumë të madh, mullar. Në qiellin mbrëmjesor, flakadanët ndizeshin si kometa anembanë Malsisë, dhe bëhej një garë e pashpallur cila shtëpi po e çon flakën më lart. Por kjo pjesë i takon etnografisë, ndaj nuk po zgjatem me të.

