Ka ndërruar jetë në moshën 79-vjeçare ish-kongresmeni amerikan Eliot Engel, një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Engel u largua nga Kongresi amerikan në janar të vitit 2021, pas më shumë se tri dekadash në detyrë. Ai njihej si një nga zërat më të fortë në Uashington në mbështetje të çështjes së Kosovës dhe të drejtave të shqiptarëve në Ballkan.
Pas lajmit për vdekjen e tij, reagime të shumta erdhën nga liderë politikë në Kosovë, të cilët e cilësuan Engelin si një mik të madh dhe një përkrahës të palëkundur të lirisë dhe shtetësisë së Kosovës.
Gjatë karrierës së tij politike, Engel ishte ndër ligjvënësit e parë amerikanë që kërkoi ndërhyrjen e NATO-s kundër regjimit të Slobodan Milošević në vitin 1999, për t’i dhënë fund dhunës në Kosovë. Ai gjithashtu mbështeti fuqishëm shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 dhe konsolidimin e shtetit të ri.
Për kontributin e tij, në Kosovë janë emërtuar rrugë dhe autostrada me emrin e Engelit, ndërsa figura e tij mbetet simbol i miqësisë mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

