Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se nuk e sheh më veten në një garë politike, edhe nëse në të ardhmen shpallet i pafajshëm nga akuzat me të cilat përballet në Hagë.
Në një intervistë për gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, Thaçi tha se garën politike e konsideron pjesë të së kaluarës, megjithëse nuk e përjashton angazhimin publik në forma të tjera.
“Garën politike e shoh pas vetes, por jo jetën time politike. Si qytetar i lirë i Kosovës, do të vazhdoj t’i shërbej publikut dhe shtetit edhe në të ardhmen”, u shpreh ai, duke theksuar se ndihet i përmbushur me karrierën e tij politike dhe me besimin që qytetarët i kanë dhënë për më shumë se dy dekada.
Në intervistë, Thaçi foli edhe për humbjen e babait të tij, duke thënë se fakti që nuk mundi të marrë pjesë në varrim për shkak të paraburgimit në Hagë e ka lënduar thellë.
Ai theksoi se ndodhet tashmë në vitin e gjashtë të paraburgimit dhe ende pret vendimin e gjykatës, ndërsa mungesa në ceremoninë mortore të babait mbetet një dhimbje që, sipas tij, do ta mbajë gjatë gjithë jetës.

