TIRANË – Detaje të reja janë zbuluar nga dosja hetimore për goditjen e disa call center-ave në Tiranë, të dyshuar për mashtrime financiare ndaj qytetarëve të vendeve të Bashkimit Evropian. Sipas dosjes së siguruar nga gazetarja Anila Hoxha, dhjetëra persona nga vende të ndryshme të BE-së janë mashtruar, duke pësuar humbje të mëdha financiare.
Autoritetet austriake kanë dhënë indicie se call center-at që operonin nga Shqipëria kanë kryer mashtrime në Vjenë dhe në qytete të tjera të Austrisë gjatë periudhës 15 qershor 2023 – 30 korrik 2024. Sipas hetimeve, përmes praktikave mashtruese, qytetarët janë bindur të transferonin para me pretendimin se ato do të investoheshin në platforma financiare.
Në dosje thuhet se përmes këtyre skemave, autorët kanë përfituar në mënyrë të padrejtë për vete ose për llogari të personave të tjerë. Të dëmtuarit, të mashtruar nga informacionet e rreme, kanë transferuar shuma të mëdha parash, të cilat në total dyshohet se tejkalojnë 30 milionë euro.
Sipas hetimeve, viktimat janë joshur fillimisht përmes reklamave të rreme që përdornin imazhe të personazheve të njohur publikë. Investimet e premtuara nuk realizoheshin dhe paratë përfundonin në një rrjet të ndërlikuar të pastrimit të parave.
Telefonuesit, që prezantoheshin si “këshilltarë financiarë”, përdornin programin AnyDesk për të marrë kontroll nga distanca mbi kompjuterët e viktimave. Një pjesë e madhe e adresave IP të përdorura rezultojnë të maskuara përmes VPN ose proxy, megjithatë partnerët ndërkombëtarë kanë arritur të identifikojnë disa IP shqiptare që janë vënë në dispozicion të hetimit.
Aksioni policor ndaj këtyre call center-ave u zhvillua të hënën në kryeqytet. Në ambientet e zbuluara dyshohet se ishin punësuar dhjetëra të rinj, të cilët kryenin telefonata drejt qytetarëve evropianë, kryesisht në Gjermani dhe Austri, duke i bindur të investonin në platforma që rezultonin mashtruese.
Ndërkohë, gjatë operacionit u sekuestruan 443 kompjuterë, 238 telefona celularë, 6 laptopë, pajisje të tjera elektronike si HDD dhe DVR, si dhe një shumë monetare prej 891,735 eurosh.
Autoritetet pritet që gjatë ditës së sotme të japin edhe masat e sigurisë për personat e arrestuar dhe të dyshuar në këtë çështje.
Personat me masë “arrest në burg”:
Eduart Dalla, 48 vjeç (i arrestuar)
Mateo Hoxha, 24 vjeç (i arrestuar)
Tedi Agastra, 23 vjeç (i arrestuar)
Ledio Toçi, 33 vjeç (i arrestuar)
Xhoel Mekolli, 29 vjeç (i arrestuar)
Marsel Lami, 29 vjeç (në kërkim)
Xhoni Hitaj, 31 vjeç (në kërkim)
Masë “ndalim daljeje jashtë vendit”:
Aida Vokli, 33 vjeç (masë e ekzekutuar)
Ledjon Cenaj, 25 vjeç (masë e paekzekutuar)
Të arrestuar në flagrancë:
Kristjan Buda, 38 vjeç
Eno Hana, 32 vjeç
Benard Biba, 26 vjeç
Kleidi Dyrma, 25 vjeç
Ema Taip, 25 vjeç

