Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar ndaj akuzave të bëra një ditë më parë nga kreu i PD-së, Sali Berisha, gjatë një takimi me fermerët në Berat.
Gjatë këtij takimi, Berisha u shpreh se Salianji ishte vetëpërjashtuar nga Partia Demokratike, ndërsa pretendoi se ish-deputeti kishte drekuar me Ergys Agasin dhe se kishte kërcënuar demokratët duke përdorur emrin e Suel Çelës.
Në një reagim në rrjetet sociale, Salianji i cilësoi akuzat si të pavërteta dhe qesharake, duke theksuar se ai nuk ka qenë dhe nuk do të jetë pjesë e pazareve me pushtetin e kryeministrit Edi Rama. Sipas tij, pazare të tilla i ka bërë vetë Berisha.
Salianji deklaroi se sulmet ndaj tij janë shenjë e frikës nga gara politike dhe nga humbja e privilegjeve brenda partisë.
Në reagimin e tij, ish-deputeti thekson se ka paguar personalisht për qëndrimet e tij politike, madje edhe me burg, por shton se nuk është përkulur dhe nuk do të shmangë përballjen politike.
Ai shtoi se akuzat për lidhje me krimin janë vetëm shpifje që përdoren kur mungojnë argumentet politike, ndërsa kërkoi një garë të hapur dhe të ndershme përpara demokratëve.
Salianji thekson se demokratët kanë nevojë për konkurrencë të vërtetë dhe përfaqësim të ndershëm, duke shtuar se kush i shmanget garës, e ka humbur atë pa hyrë ende në të.
Në fund të reagimit, ai deklaron se do të vazhdojë betejën politike pa frikë, me synimin për ta bërë opozitën fituese dhe për të larguar, sipas tij, autokratët si nga qeveria ashtu edhe nga opozita.

