Shërbimi i transportit publik në Tiranë dhe në disa qytete të vendit vijon edhe sot me kapacitete të reduktuara, duke shënuar ditën e dytë të kufizimit të qarkullimit të autobusëve.
Vendimi për operim me 40 deri në 60% të flotës është marrë pas një mbledhjeje të zhvilluar mes përfaqësuesve të operatorëve të rreth 450 linjave në vend, si dhe drejtuesve të Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas dhe Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban.
Kreu i Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban, Dashnor Memaj, deklaroi për “Monitor” se operatorët janë në pritje të një takimi me institucionet përgjegjëse për të diskutuar kërkesën për kompensim financiar pas rritjes së çmimit të naftës. Sipas tij, nëse nuk do të ketë reagim nga autoritetet, operatorët paralajmërojnë përshkallëzim të masave dhe reduktim të mëtejshëm të shërbimit.
Operatorët kërkojnë një kompensim deri në 100 lekë për litër karburant, kërkesë që është dorëzuar më 1 prill, përmes një pakete emergjente antikrizë drejtuar ministrive përkatëse.
Në ditën e parë të protestës, nga rreth 200 autobusë që operojnë në 50 linjat urbane të Tiranës, vetëm 115 mjete kanë qenë në shërbim. Situata paraqitet edhe më e vështirë në disa qytete të tjera të vendit, ku reduktimi i shërbimit ka arritur deri në 60%.
Sipas të dhënave, në Durrës numri i autobusëve është ulur me 50%, në Vlorë dhe Berat me 60%, në Lushnjë me 50% dhe në Peshkopi me 40%.
Shoqatat e transportit publik vlerësojnë se rritja e çmimit të naftës ka shtuar kostot e operatorëve deri në 800 mijë euro në muaj, duke vështirësuar mbajtjen e shërbimit të plotë.
Për këtë arsye është propozuar një skemë kompensimi për një periudhë gjashtëmujore, me një fond të vlerësuar rreth 300 milionë lekë, ose rreth 3 milionë euro.
Kryetari i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas, Kostandin Foni, ka theksuar më herët se skema e propozuar është e zbatueshme dhe mund të funksionojë sipas modelit të përdorur në vitin 2022, gjatë krizës së çmimeve pas luftës në Ukrainë.
Përveç kompensimit për karburantin, shoqatat e transportit kërkojnë edhe rishikimin e barrës fiskale për sektorin, duke përfshirë heqjen e taksës së qarkullimit dhe akcizës për naftën që përdoret nga operatorët, si dhe uljen e TVSH-së nga 20% në 5%.

