Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po mashtron fermerët kur deklaron se vendet anëtare të Bashkimit Evropian nuk subvencionojnë më naftën për bujqësinë.
Gjatë një deklarate publike, Berisha u shpreh se në rendin e ditës së seancës plenare duhet të jenë skandalet dhe, sipas tij, vjedhjet e kryera nga Rama dhe ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.
Sipas Berishës, çështja e naftës për fermerët dhe transportin publik kërkon ndërhyrje urgjente nga Kuvendi. Ai tha se deklaratat e kryeministrit se Europa nuk subvencionon më naftën për fermerët janë të pavërteta dhe i bëri thirrje deputetëve socialistë ta verifikojnë këtë pretendim.
Berisha kërkoi që të rikthehet me ligj subvencioni për naftën në bujqësi dhe të hiqen të gjitha taksat për naftën që përdoret nga fermerët dhe sektori i transportit publik.
Ai theksoi se një masë e tillë do të ndihmonte drejtpërdrejt sektorin bujqësor dhe shërbimin e transportit, duke ulur kostot për fermerët dhe operatorët. Sipas tij, ndërhyrja duhet të jetë e menjëhershme për të përballuar rritjen e çmimeve të karburantit.

