Bashkimi Evropian ka njoftuar se një aplikacion i ri për verifikimin e moshës në internet është tashmë teknikisht gati, në kuadër të përpjekjeve për të rritur sigurinë e të miturve në hapësirën digjitale.
Sipas Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ky mjet do t’u mundësojë përdoruesve të konfirmojnë moshën e tyre online pa pasur nevojë të ndajnë të dhëna personale apo identitetin e plotë.
Aplikacioni do të funksionojë duke u konfiguruar fillimisht përmes një dokumenti identifikimi, si pasaporta apo karta e identitetit. Më pas, përdoruesit do të mund ta përdorin atë për të vërtetuar se janë mbi një moshë të caktuar kur aksesojnë faqe me përmbajtje të kufizuar, pa zbuluar të dhëna sensitive.
Sipas Komisionit Evropian, sistemi është i ngjashëm me certifikatat digjitale të përdorura gjatë pandemisë së COVID-19, të cilat shërbenin për të provuar statusin e vaksinimit.
Aplikacioni pritet të mbështesë zbatimin e Ligjit për Shërbimet Digjitale, i cili synon rregullimin më të fortë të platformave online, përfshirë kufizimin e aksesit në përmbajtje si pornografia, lojërat e fatit dhe shërbimet që lidhen me alkoolin.
Zyrtarët theksojnë se aplikacioni do të jetë “plotësisht anonim” dhe i ndërtuar mbi teknologji open-source, duke krijuar mundësi që të adoptohet edhe nga vende jashtë BE-së.
Nisma vjen në një kohë kur siguria e fëmijëve në rrjetet sociale është kthyer në një çështje prioritare. Presioni për masa të reja është rritur sidomos pas vendimit të Australisë për të ndaluar përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit nën moshën 16 vjeç.
Ndërkohë, disa shtete anëtare të BE-së po shqyrtojnë vendosjen e kufijve minimalë të moshës për përdorimin e rrjeteve sociale, ndërsa deri më tani ka munguar një sistem i besueshëm verifikimi që respekton standardet e rrepta për mbrojtjen e të dhënave.

