Barcelona po kërkon të përforcojë repartin e sulmit me një lojtar me kosto më të ulët dhe një nga emrat që është përfshirë në listën e interesit është Vedat Muriqi.
Sipas raportimeve nga media sportive “Sport”, klubi katalanas vijon të ketë objektiva kryesorë sulmues si Victor Osimhen dhe Julián Álvarez, por njëkohësisht po shqyrton edhe alternativa të tjera që ofrojnë forcë në ajër dhe finalizim të mirë brenda zonës. Në këtë kontekst, Muriqi përmendet si një opsion i mundshëm, sidomos duke marrë parasysh formën e tij të mirë në sezonin aktual.
Sulmuesi 31-vjeçar po zhvillon një nga sezonet më të mira të karrierës së tij dhe është përfshirë në garën për “Këpucën e Artë”, ku renditen edhe emra të mëdhenj të futbollit evropian. Edhe pse ka një klauzolë lirimi prej 40 milionë eurosh, raportimet theksojnë se një marrëveshje mund të arrihet për një shumë më të ulët.
Ndërkohë, në listën e Barcelonës për repartin ofensiv përmendet edhe Alexander Sørloth, si një tjetër alternativë në këtë operacion merkatoje. Një transferim i mundshëm i Muriqit drejt Barcelonës do të përbënte një zhvillim të rëndësishëm në karrierën e tij dhe një ngjarje me jehonë të madhe për futbollin shqiptar.

