Qeveria e Kosovës ka vendosur ta shpallë organizatë terroriste Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, gjatë një mbledhjeje të mbajtur të hënën në Prishtinë.

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se ky vendim synon të forcojë qëndrimin e Kosovës në mbrojtje të sigurisë ndërkombëtare, vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut. Ai theksoi se bëhet fjalë për një rreshtim të qartë përkrah aleatëve strategjikë në luftën kundër terrorizmit.

Sipas tij, Garda Revolucionare Islamike e Iranit përfaqëson një strukturë që përdor dhunën e organizuar dhe terrorizmin si instrument të politikës së jashtme, duke kontribuar në destabilizimin rajonal dhe global.

Ky trup ushtarak, i njohur si krahu ideologjik i ushtrisë së Iranit, është krijuar pas revolucionit të vitit 1979 dhe ka ndikim të gjerë edhe në ekonominë e vendit përmes kontrollit të kompanive në sektorë strategjikë.

Vendimi i Kosovës vjen në një linjë me hapa të ngjashëm të ndërmarrë më herët nga vende të tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa edhe Bashkimi Evropian ka ndërmarrë masa ndaj këtij organizmi pas shtypjes së protestave në Iran.

Sipas organizatave për të drejtat e njeriut, gjatë protestave të fundit në Iran janë vrarë mijëra persona, me akuza se forcat e sigurisë, përfshirë Gardën Revolucionare, kanë përdorur forcë të tepruar ndaj protestuesve.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *