Gazeta zvicerane Aargauer Zeitung ka publikuar një artikull të gjatë investigativ, ku përshkruhet një rrjet kriminal i dyshuar për pastrimin e miliona eurove të fituara nga trafiku i drogës, me lidhje mes Zvicrës, Kosovës dhe Shqipërisë.
Sipas raportimit, paratë e përfituara nga aktivitetet e paligjshme dyshohet se pastroheshin përmes një agjencie udhëtimesh në Lucernë, të quajtur “Zyra”. Në qendër të hetimeve përmendet një person i njohur me nofkën “Visi”, i konsideruar si koordinatori kryesor i rrjetit, si dhe një tjetër i njohur si “Papi”, me rol kyç në Shqipëri.
Sipas gazetës, paratë transportoheshin nga Zvicra drejt Ballkanit përmes një sistemi informal transferimi (hawala), duke kaluar nga Bazeli në Prishtinë dhe më pas në Tiranë. Në Shqipëri, ato dyshohet se kanalizoheshin përmes pikave të këmbimit valutor dhe strukturave të tjera financiare.
Artikulli përmend gjithashtu edhe bashkëpunëtorë të tjerë të identifikuar me nofka, të cilët kishin role të ndryshme logjistike dhe financiare në rrjetin e dyshuar, përfshirë transportin dhe shpërndarjen e parave.
Sipas hetimeve të përshkruara nga media zvicerane, në qendër të operacionit qëndronte agjencia “Zyra”, ku dyshohet se depozitoheshin shuma të mëdha parash në baza ditore. Më pas, këto fonde zhvendoseshin përmes rrugëve të ndryshme drejt Ballkanit.
Autoritetet në Zvicër dhe Shqipëri po vijojnë hetimet për këtë rrjet, ndërsa disa persona ndodhen në paraburgim dhe të tjerë janë nën procedim penal. Të gjithë të dyshuarit prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjykate.

