Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim në Tiranë me Christian Forneck, këshilltar për politikën e jashtme dhe të sigurisë pranë grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag.
Gjatë deklaratës për mediat, Berisha artikuloi akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si “udhëheqës të klaneve të drogës”. Ai theksoi se çështjet e krimit dhe trafikut të narkotikëve janë ndër shqetësimet kryesore që, sipas tij, ndikojnë negativisht në procesin e integrimit të vendit.
Berisha u shpreh se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian duhet të bazohet në meritë dhe përmbushjen e standardeve, duke e cilësuar këtë si interes jetik për qytetarët shqiptarë dhe për vetë BE-në.
Sipas tij, një Shqipëri e përfshirë në aktivitete kriminale përbën rrezik për rajonin dhe më gjerë, ndërsa shtoi se bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë duhet të intensifikohet për të çuar përpara procesin e integrimit.
Ai theksoi gjithashtu rolin e Bundestagut në mbështetjen e procesit të integrimit, duke nënvizuar se ky institucion ka insistuar vazhdimisht që zgjerimi i BE-së të mbetet një proces i bazuar në meritë.
