PRISHTINË – Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Feride Rushitin si kandidate për presidente të Kosovës, duke sjellë në garë një figurë të njohur për angazhimin e saj në të drejtat e njeriut dhe mbështetjen për të mbijetuarit e luftës.
Rushiti është mjeke me specializim në gastroenterologji dhe e diplomuar në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë. Gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999, ajo kontribuoi në kampet e refugjatëve në Shqipëri, duke ndihmuar persona të zhvendosur dhe viktima të dhunës.
Pas luftës, ajo themeloi dhe drejton Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), një organizatë që ofron mbështetje mjekësore, psikologjike dhe ligjore për viktimat e traumës.
Përmes punës së saj, Rushiti ka qenë e përfshirë në procese të rëndësishme për njohjen dhe mbrojtjen e të drejtave të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, si dhe në monitorimin e institucioneve korrektuese dhe dokumentimin e krimeve të luftës.
Në nivel ndërkombëtar, ajo ka bashkëpunuar me organizata dhe mekanizma globalë për të drejtat e njeriut, duke përfaqësuar përvojën e Kosovës në forume të ndryshme.
Për kontributin e saj, Rushiti është nderuar me disa çmime prestigjioze, përfshirë çmimin “International Women of Courage” nga Departamenti Amerikan i Shtetit në vitin 2018. Në vitin 2025, emri i saj është përmendur edhe si kandidate për Çmimin Nobel për Paqe.
Kandidatura e saj vjen në një moment të rëndësishëm politik, ndërsa Kuvendi i Kosovës pritet të vendosë për zgjedhjen e presidentit të ri.
