Rusia dhe Irani bashkëpunojnë ngushtë në disa fusha, megjithatë nga Moska nuk ka një mbështetje të hapur ushtarake për Teheranin. Sipas agjencisë ruse të lajmeve Interfax, presidenti rus Vladimir Putin tha se javën e kaluar kishte marrë një mesazh nga udhëheqësi suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, dhe konfirmoi se Rusia dhe Irani do të vazhdojnë partneritetin e tyre strategjik.
Ndërkohë, bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit kanë ngecur, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi çështje thelbësore, përfshirë edhe situatën në Ngushticën e Hormuzit. Në këtë kontekst, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, u takua në Shën Petersburg me presidentin rus Vladimir Putin.
Putin vlerëson qëndrimin e Iranit
Abbas Araghchi deklaroi se marrëdhëniet mes Teheranit dhe Moskës janë në nivelin më të lartë dhe pritet të forcohen më tej, duke falënderuar Rusinë për mbështetjen.
Nga ana e tij, Vladimir Putin shprehu shpresën për një paqe të shpejtë në rajon. “Ne shohim se si populli iranian lufton me guxim dhe heroizëm për pavarësinë dhe sovranitetin e tij,” tha ai. “Nga ana jonë, do të bëjmë gjithçka që është në interesin e tyre dhe në interes të të gjithë popujve të rajonit, që paqja të arrihet sa më shpejt të jetë e mundur.”
Ngushtica e Hormuzit mbetet në qendër të debatit
SHBA-ja dhe Irani po japin deklarata kontradiktore për hapat e ardhshëm. Presidenti amerikan Donald Trump kërkon që, për arritjen e një marrëveshjeje paqeje, programi bërthamor i Iranit të përfshihet në marrëveshje, si dhe të garantohet hapja e Ngushticës së Hormuzit.
Nga ana tjetër, sipas përfaqësuesve të vendeve të Lindjes së Mesme, në propozimin e Iranit për përfundimin e bllokadës së Hormuzit nuk përmendet programi bërthamor.
Abbas Araghchi akuzoi SHBA-në për “kërkesa të tepruara”, duke theksuar se qasja e saj ka vonuar raundin e bisedimeve të planifikuara në Pakistan.
Reagimi i SHBA-së
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e cilësoi propozimin iranian për hapjen e Ngushticës së Hormuzit si të papranueshëm. Sipas tij, hapja e këtij korridori strategjik për furnizimet globale me naftë dhe gaz, në këmbim të kushteve të rrepta, nuk është e pranueshme as për SHBA-në dhe as për vende të tjera.
Ndërkohë, sipas portalit Axios, Donald Trump po planifikon një mbledhje krize me qeverinë e tij lidhur me situatën në Iran. Siç raportoi gazetari Barak Ravid në platformën X, takimi pritet të fokusohet te “ngërçi aktual në negociata” dhe “opsionet e mundshme për hapat e ardhshëm”.
Sipas ABC News, në këtë mbledhje do të marrin pjesë disa nga këshilltarët kryesorë të sigurisë, ndërsa administrata amerikane i konsideron propozimet e fundit nga Teherani si të pamjaftueshme./DW
