Nga Ermal Mulosmani
Tani i Topit ishte ai që ishte; të gjithë kanë një ide për të. Miqtë e tij më të afërt e njohin edhe si njeri që pëlqente tavolinat dhe drekat apo darkat e gjata. Njëri prej tyre, figurë shumë e njohur e humorit, më ka treguar historinë e mëposhtme:
“Një mëngjes po shkoja në punë, diku nga ora 10:00. Tani sapo kishte emëruar një drejtor të ri administrativ. Ky drejtori kishte vendosur disa rregulla që ne artistëve nuk na pëlqenin fare. Një ndër to ishte orari. Organizonte mbledhje të vazhdueshme dhe artistëve u kishte ardhur në majë të hundës.
Sapo u futa në derë atë mëngjes, pashë Tanin në kafenenë e Top-it. E përshëndeta dhe bëra të ngjitem lart, kur më thirri: ‘Ku shkon, hajde mor burrë, ulu’. Mendova se më erdhi rasti dhe i thashë me djallëzi: ‘Kemi mbledhje në orën 10:00 te zyra e…’.
Tani, sigurisht, as nuk e vuri fare në hesap çfarë i thashë dhe më bëri me dorë t’i afrohesha. Për pak minuta aty u ulën edhe tre a katër aktorë kryesorë të Portokallisë. Sapo filluam bisedën, po i thosha që ky drejtori e kishte tepruar me këto mbledhje dhe orare – forma të tejkaluara tashmë…
Tani po turfullonte nga inati, kur, Zoti e solli drejtorin në fjalë në kafene. Me siguri kishte zbritur për të kontrolluar pse po vonoheshim… Ishte me kostum dhe kollare kur hyri.
Ndërkohë, një makinë me kompjuterë montazhi po shkarkohej në oborr të Top-it dhe disa punëtorë të djersitur venin e vinin të stërngarkuar.
Kjo ishte situata kur u fut drejtori. Tani ishte me shpinë nga ai, por kur pa që ne na tërhoqi vëmendjen diçka, ktheu kokën. Sapo e pa ashtu të ngrehur e të kollarisur, i tha: ‘Mik, ik jepu një dorë këtyre çunave, nuk i sheh si po këputen!’
Miku me kostum e kollare u drejtua me hap të ngadaltë, me bisht ndër shalë, drejt makinës që po shkarkohej. Në tavolinë të gjithë po qeshnim nën zë…
Që nga ajo ditë nuk na bëri më mbledhje, por na përshëndeste me dashamirësi kur na ndeshte në korridore…”
Kjo histori, e treguar shumë kohë më parë, më vjen ndër mend sa herë që e shoh Pandin dhe pozicionin e tij si ministër qesharak. Më kujtohet një tavolinë kryeministrore pak përpara se të emërohej qeveria e re. Dikush i rëndësishëm në atë tavolinë i thotë kryeministrit:
“Shef, duhet të ruajmë ekuilibrat me PS-në e dikurshme, duhet të respektojmë figurat historike. Për shembull, Pandin. Ka një jetë në PS, në Kosovë e duan shumë, është figurë konsensuale, e pakonsumuar. Them ta bëjmë zëvendëskryeministër dhe ministër të Brendshëm”.
Kryeministri gajaset. E merr në telefon Pandin dhe i thotë: “Pandi, je emëruar… ministër për Bashkatdhetarët”.
Pandi qesh. Falënderon dhe mbyll telefonin.
Sapo mbyllet telefoni, në tavolinën kryeministrore plas një gaz i madh… Si atëherë kur Tani e çoi drejtorin të shkarkonte makinën…
Gaztori Pandi ia kishte arritur qëllimit.
Emri i drejtorit është i parëndësishëm.

