Në Kongresin e Shteteve të Bashkuara është paraqitur një rezolutë që mbështet procesin e afrimit të Kosovës drejt anëtarësimit në NATO.
Iniciativa është ndërmarrë nga kongresmenët Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, të cilët theksojnë rëndësinë strategjike të integrimit të Kosovës në strukturat euroatlantike.
Sipas rezolutës, zhvillimet demokratike në Kosovë, kontrolli civil mbi institucionet e sigurisë dhe bashkëjetesa multietnike e bëjnë vendin një kandidat serioz për anëtarësim në aleancë.
Dokumenti nënvizon se zgjerimi i NATO-s në Ballkan do të kontribuonte në forcimin e stabilitetit rajonal dhe në parandalimin e ndikimeve destabilizuese nga aktorë të jashtëm.
Gjithashtu, u bëhet thirrje vendeve anëtare të NATO-s që ende nuk e kanë njohur Kosovën të rishikojnë qëndrimet e tyre, në funksion të avancimit të procesit të integrimit euroatlantik.

