Plakja e popullsisë në vendet e Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesë edhe Shqipëria, po bëhet një çështje gjithnjë e më e mprehtë.
Një raport i Bankës Botërore thekson se sfida kryesore do të jetë sigurimi i kujdesit afatgjatë për një popullsi që po shkon drejt “superplakjes”.
“Kërkesa për shërbime të kujdesit afatgjatë (LTC) është tashmë e lartë në Ballkanin Perëndimor dhe pritet të rritet me shpejtësi, ndërsa popullsia vazhdon të plaket,” thuhet në raport.
Kujdesi afatgjatë përfshin shërbime për personat që, për shkak të kufizimeve fizike ose mendore, kanë nevojë për ndihmë në aktivitetet e përditshme ose për kujdes të vazhdueshëm.
Të dhënat tregojnë se rreth 16% e personave mbi 65 vjeç kanë vështirësi të mëdha në kryerjen e aktiviteteve të përditshme, ndërsa 32% raportojnë disa vështirësi.
Të moshuarit përbëjnë rreth 9–19% të popullsisë në vendet e rajonit.
Sipas Bankës Botërore, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia pritet të klasifikohen si vende “super të plakura”, me mbi 20% të popullsisë mbi 65 vjeç. Deri në vitin 2050, këtë trend pritet ta ndjekin edhe Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
Mbulimi i shërbimeve të kujdesit afatgjatë mbetet shumë i kufizuar, duke krijuar varësi të madhe nga kujdesi familjar. Mbështetja publike fokusohet kryesisht në kujdesin rezidencial dhe pagesat për kujdestarët informalë, ndërsa shërbimet në shtëpi dhe ato komunitare mbeten të pazhvilluara.
Burimi: Monitor.al
