Gazetari dhe eksperti i komunikimit strategjik, Markku Mantila, ka deklaruar se Kosova po përballet me fushata të organizuara dezinformimi që vijnë nga jashtë vendit.
Sipas tij, dezinformimi është një nga sfidat më serioze për demokracitë moderne, veçanërisht në një kohë kur teknologjia dhe inteligjenca artificiale e kanë bërë më të lehtë prodhimin dhe shpërndarjen e lajmeve të rreme.
Mantila, i cili mori pjesë në një konferencë në Prishtinë mbi luftën kundër dezinformimit dhe forcimin e rezistencës shoqërore, thekson se ndikimi i informacionit të rremë në shoqëri është i madh dhe po rritet.
Ai shton se qeveritë nuk duhet të përcaktojnë se çfarë duhet të lexojnë qytetarët, por kanë përgjegjësinë të rrisin ndërgjegjësimin për ekzistencën e dezinformimit dhe rreziqet që ai sjell.
Sipas tij, demokracitë evropiane po funksionojnë, por ekzistojnë sinjale se situata mund të përkeqësohet për shkak të ndikimeve të jashtme dhe zhvillimeve globale.
Mantila thekson se lufta kundër dezinformimit kërkon informim më të madh të qytetarëve dhe forcim të qëndrueshmërisë së shoqërisë ndaj lajmeve të rreme.
