Media greke Protothema i ka kushtuar një artikull të gjatë operacionit ndërkombëtar kundër call center-ave në Shqipëri, duke zbuluar detaje mbi rrjetin që dyshohet se ka përfituar rreth 50 milionë euro duke mashtruar qytetarë në të gjithë Evropën.

Sipas raportimit, organizata kishte rreth 450 punonjës dhe funksiononte me një strukturë të ngjashme me atë të një kompanie të mirëorganizuar, me ekipe, drejtues dhe operim në disa gjuhë për të bindur sa më shumë viktima.

Mashtruesit kontaktonin qytetarët përmes telefonatave që dukeshin të besueshme, duke përdorur numra me kode evropiane. Ata prezantoheshin si përfaqësues të kompanive të investimeve dhe premtonin fitime të shpejta, kryesisht nga kriptomonedhat.

Sipas Protothema-s, viktimat shtyheshin vazhdimisht të transferonin shuma të mëdha parash, me premtimin e fitimeve të garantuara, ndërsa telefonatat realizoheshin nga Tirana.

Artikulli thekson se autoriteteve evropiane iu deshën rreth dy vite hetime për të goditur rrjetin dhe për të arrestuar të dyshuarit kryesorë.

Ekspertët e Europol-it e konsiderojnë rastin si një shembull të mënyrës se si grupet kriminale po përdorin teknologjinë dhe organizimin modern të biznesit për mashtrime financiare në shkallë ndërkombëtare.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *