Situata në Ngushticën e Hormuzit është përshkallëzuar ndjeshëm pas përplasjes së fundit mes SHBA-së dhe Iranit. Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se forcat amerikane kanë goditur shtatë mjete të shpejta detare iraniane në zonën strategjike të Gjirit Persik.
“Ne qëlluam shtatë anije të vogla, ose siç i quajnë ata, anije të shpejta. Janë gjithçka që u ka mbetur”, tha Trump.
Nga ana tjetër, Irani reagoi përmes ministrit të Jashtëm, Abbas Araghchi, i cili deklaroi se tensionet në Hormuz tregojnë se kriza nuk mund të zgjidhet me mjete ushtarake. Ai shtoi se bisedimet diplomatike po vazhdojnë dhe se Pakistani po luan një rol pozitiv në ndërmjetësim.
Ndërkohë, raportimet për lëvizjen e anijeve amerikane në ngushticë kanë sjellë versione të kundërta. Uashingtoni deklaroi se anijet tregtare me flamur amerikan kanë kaluar pa probleme, ndërsa Teherani i quajti këto pretendime “plotësisht të rreme”.
Në të njëjtën kohë, Emiratet e Bashkuara Arabe raportuan sulme ndaj infrastrukturës energjetike dhe anijeve në zonë. Sipas autoriteteve, një tanker i kompanisë shtetërore ADNOC u godit pranë portit të Fujairah, duke shkaktuar shpërthim dhe zjarr, ndërsa tre persona mbetën të plagosur.
Autoritetet emirate thanë se mbrojtja ajrore ka interceptuar raketa balistike, raketa lundrimi dhe dronë, duke e cilësuar situatën si një “përshkallëzim të rrezikshëm” në rajon.
