Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, ka konfirmuar arritjen e një koalicioni me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, për qeverisjen e kryeqytetit.
“Ka një koalicion, kemi bërë koalicionin me z. Rama…”, deklaroi Ismaili në T7.
Ai tha se, ndonëse fillimisht nuk ka qenë shumë entuziast për këtë marrëveshje, zhvillimet politike në nivel nacional kanë ndikuar edhe në situatën në Prishtinë.
“Nuk kam qenë shumë entuziast, por krizat në nivel nacional po reflektohen edhe në Prishtinë”, u shpreh ai.
Ismaili theksoi se PDK-ja mund të luajë rol kyç në funksionimin e shumicës në kryeqytet, duke e cilësuar partinë si një faktor që mund të ndikojë në stabilitetin ose bllokimin e proceseve politike.
Sipas tij, marrëveshja pritet të formalizohet në ditët në vijim, kur ekipi i ri do të marrë përgjegjësitë për qeverisjen e Prishtinës.
I pyetur për ndarjen e posteve, Ismaili bëri të ditur se PDK-ja do të ketë edhe përfaqësim në nivel nënkryetari, duke theksuar se kjo pozitë do t’i takojë një gruaje.
