Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mohuar se ka një koalicion qeverisës me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) në Prishtinë.
Përmes një komunikate, LDK-ja ka theksuar se nuk ka marrë pjesë në asnjë proces ndërpartiak për arritjen e ndonjë marrëveshjeje bashkëqeverisëse deri më tani.
“LDK ka strukturat e veta partiake, organet vendimmarrëse lokale dhe më gjerë, dhe këto struktura nuk kanë qenë pjesë e asnjë marrëveshjeje qeverisëse. Çdo marrëveshje tjetër nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Si e tillë, ajo nuk krijon obligime politike për LDK-në dhe nuk mund të konsiderohet si vullnet i organizuar i saj”, thuhet në komunikatë.
Sipas LDK-së, çdo marrëveshje ndërpartiake duhet të kalojë përmes strukturave zyrtare dhe vendimmarrjes institucionale.
“Çdo përpjekje për ta anashkaluar këtë rrugë nuk përbën marrëveshje me LDK-në”, theksohet më tej.
Më tej, partia bën të ditur se për çështjet lokale do të angazhohet pas zgjedhjeve nacionale.
“Në këtë fazë, LDK dhe anëtarësia e saj janë të angazhuara plotësisht në procesin e ringritjes së përbashkët. Asnjë agjendë tjetër nuk mund ta zbehë këtë përkushtim”, përfundon komunikata.
