Interesi i diasporës kosovare për zgjedhjet e 7 qershorit po rezulton i lartë që në ditët e para të regjistrimit. Sipas të dhënave të publikuara nga Lëvizja Vetëvendosje, vetëm brenda 24 orëve të para janë regjistruar rreth 10 mijë votues nga mërgata.
Ky ritëm i shpejtë regjistrimi shihet si tregues i një pjesëmarrjeje të shtuar të qytetarëve që jetojnë jashtë Kosovës, të cilët pritet të kenë rol të rëndësishëm në rezultatin e zgjedhjeve parlamentare.
Afati për regjistrimin e votuesve nga diaspora ka nisur më 6 maj dhe do të zgjasë deri më 17 maj 2026, ndërsa procesi kryhet përmes platformës zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Sipas rregullave, qytetarët që planifikojnë të votojnë fizikisht në Kosovë nuk kanë nevojë të regjistrohen për votim nga jashtë vendit, ndërsa pritet që numri i regjistrimeve të rritet edhe në ditët në vijim.
