Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka bërë të ditur se për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit janë regjistruar gjithsej 22 parti politike dhe 3 koalicione, ndërsa 9 parti kanë njoftuar mospjesëmarrjen në procesin zgjedhor.

Sipas KQZ-së, afati për regjistrim, koalicione dhe deklarim të pjesëmarrjes është mbyllur më 7 maj në mesnatë. Ky proces ka përfshirë vetëm partitë politike të regjistruara në Republikën e Kosovës, të cilat kishin të drejtë të konfirmonin statusin e tyre zgjedhor.

Në garë marrin pjesë partitë kryesore si Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, së bashku me një numër subjektesh të tjera politike, përfshirë parti të komuniteteve joshumicë dhe formacione më të vogla politike.

Sa u përket koalicioneve, KQZ ka konfirmuar tre blloqe kryesore: koalicioni i Vetëvendosjes, Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane; koalicioni i partive të komunitetit ashkali dhe rom; si dhe Koalicioni Vakat, i përbërë nga parti të komunitetit boshnjak.

Nga ana tjetër, 9 parti politike kanë vendosur të mos marrin pjesë në këto zgjedhje, mes tyre Aleanca Kosova e Re, Nisma Socialdemokrate dhe disa subjekte të tjera më të vogla politike.

KQZ ka theksuar se ky proces është i ndarë nga certifikimi i listave të kandidatëve për deputetë, i cili vijon deri në mesin e muajit maj, ndërsa subjektet politike pritet të dorëzojnë listat përfundimtare në ditët në vijim.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *