Në Vlorë, tregtarët e tregut të fruta-perimeve janë mbledhur para bashkisë në shenjë proteste kundër mbylljes së tregut në qendër të qytetit, në kuadër të një projekti për rikualifikimin urban të zonës pranë Sahatit.
Ata shprehen se nuk janë kundër ndërhyrjes dhe përmirësimit të hapësirës publike, por kundërshtojnë mungesën e një zgjidhjeje konkrete për vazhdimin e aktivitetit të tyre gjatë periudhës së punimeve. Sipas tyre, vendet alternative të ofruara nuk garantojnë klientelën dhe të ardhurat e zakonshme.
Tregtarët paralajmërojnë se kanë furnizuar mall për sezonin dhe rrezikojnë që ai të mbetet stok, duke u shkaktuar humbje të mëdha ekonomike dhe vështirësi serioze për familjet e tyre.
Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente dhe takim me drejtuesit e bashkisë, duke theksuar se, nëse nuk gjendet zgjidhje, protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim.
