TIRANË– Kryeministri Edi Rama ka rrëfyer një episod të panjohur nga fillimet e pluralizmit në Shqipëri, duke kujtuar një takim të vitit 1992 mes piktorit shqiptar nga Mali i Zi, Gjelosh Gjoka, dhe ish-presidentit Sali Berisha.
I ftuar në emisionin “KOHA JONË-DEBAT”, Rama tregoi se Gjoka kishte kërkuar prej kohësh një takim me Berishën, por nuk po arrinte ta siguronte. Sipas tij, gjithçka ndryshoi pasi ai i dërgoi një letër prezantimi ish-presidentit.
Rama tha se përgjigjja e Berishës e kishte habitur: takimi do të zhvillohej vetëm nëse ai vetë do të ishte i pranishëm bashkë me Gjelosh Gjokën.
Sipas kryeministrit, gjatë takimit në Presidencë, Berisha kishte kritikuar edhe njerëzit e vet në Partinë Demokratike dhe parlament, ndërsa kishte marrë në dorë gazetën “Koha Jonë”, duke thënë: “Këtu është ajka e trurit të këtij vendi”.
Rama tregoi se ishte surprizuar nga deklaratat e Berishës në atë kohë, duke e cilësuar episodin si një nga momentet më të pazakonta që kujton nga fillimi i viteve ’90.

