Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se SHBA-ja dëshiron që Kina të marrë një rol më aktiv për zgjidhjen e krizës në Ngushticën e Hormuzit dhe për të ndikuar ndaj Iranit.
Gjatë një interviste për Fox News, Rubio u shpreh se Uashingtoni shpreson ta bindë Pekinin të ndërhyjë diplomatikisht për të ndalur veprimet e Iranit në Gjirin Persik.
Sipas tij, Kina ka interesa të mëdha ekonomike në rajon, pasi shumë anije kineze janë bllokuar në Gjirin Persik dhe ekonomia kineze po ndien pasojat e krizës. Rubio theksoi se, si ekonomi e orientuar drejt eksporteve, Kina po preket nga ulja e tregtisë globale dhe nga pasiguria në transportin detar.
Deklaratat e Rubios vijnë ndërsa ai po shoqëron presidentin amerikan Donald Trump në vizitën zyrtare në Pekin, ku Trump pritet të zhvillojë një takim me presidentin kinez Xi Jinping.
Megjithatë, Trump u shpreh më i rezervuar për rolin e Kinës në këtë krizë, duke deklaruar se SHBA-ja “nuk ka nevojë për ndihmë” për t’i dhënë fund përplasjes me Iranin.
Kriza në Ngushticën e Hormuzit është përshkallëzuar pas nisjes së luftës SHBA-Izrael kundër Iranit më 28 shkurt, ndërsa zona mbetet pothuajse e paralizuar dhe ushtria amerikane ka vendosur bllokadë ndaj porteve iraniane.

