Një situatë e tensionuar është shënuar mëngjesin e kësaj të hëne në ambientet e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, ku dy kompani të angazhuara në punimet e ndërtimit janë përplasur hapur për të drejtën e hyrjes në kantier.

Përfaqësues të kompanisë “2A” të Valon Ademit kanë penguar punëtorët e kompanisë së Behgjet Pacollit të hyjnë në ambientet e aeroportit. Punonjësit e kompanisë Mapko dhe nënkontraktorëve të saj ishin njoftuar mbrëmjen e kaluar të mos vinin në punë, por duke mos pasur asnjë komunikim zyrtar, ata u paraqitën në kantier dhe u gjetën përpara dyerve të mbyllura.

Mes të bllokuarve janë punëtorë që operojnë brenda terminalit, në ambientet e jashtme dhe në shërbimin zjarrfikës — dhe të gjithë me afat pune deri në fund të majit, me mundësi shtyrjeje deri në gusht.

Kompania e Pacollit mohon çdo bazë ligjore për këtë veprim, duke e cilësuar bllokimin si të padrejtë dhe jashtëligjshëm, si dhe duke theksuar se nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar për ndalimin e aktivitetit.

Ismet Pacolli ka bërë të ditur se çështja ndodhet tashmë në gjykatë dhe se do të jetë drejtësia ajo që do të vendosë për vazhdimësinë e punimeve.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *