Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se periudha e regjistrimit për votuesit nga jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit ka mbyllur me një rekord historik — mbi 142 mijë kërkesa për regjistrim, duke kaluar numrin e arritur në zgjedhjet e vitit 2021 kur ishin regjistruar rreth 130 mijë aplikime.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se nga 142,803 kërkesat e pranuara, 109,696 janë aprovuar, 7,325 janë refuzuar, ndërsa 25,702 të tjera janë ende në pritje për shqyrtim.
Mënyra më e preferuar e votimit nga mërgata është posta. Votimi përmes postës do të zhvillohet nga 25 maji deri më 6 qershor, ndërsa votimi fizik në përfaqësi diplomatike organizohet më 6 qershor.
Nga aplikuesit e aprovuar, 81,901 anëtarë të mërgatës janë regjistruar për të marrë fletëvotimin në kutinë e tyre postare jashtë Kosovës, 24,940 për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike, ndërsa 2,855 të tjerë kanë zgjedhur ta dërgojnë pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.
KQZ ka njoftuar se kutitë postare janë funksionalizuar në 23 shtete të ndryshme, ndërsa votimi fizik planifikohet të organizohet në 48 përfaqësi diplomatike me 70 vendvotime.
