Një skandal i rëndë ka tronditur Serbinë, ku ish-shefi i policisë së Beogradit dhe ish-këshilltari i presidentit Aleksandar Vuçiq, Veselin Miliq, është arrestuar dhe i është caktuar paraburgim 30-ditor nën dyshimin për fshehje të tentim-vrasjes dhe pengim të zbardhjes së zhdukjes së një personi të lidhur me botën kriminale.

Ngjarja ka ndodhur në një restorant të Beogradit, ku Aleksandar Neshoviqi, i njohur me nofkën “Baja”, u vra me armë zjarri nga Sasha Vukoviq Boske, ndërsa ishte ulur në tryezë bashkë me vetë Miliqin. Sipas mediave serbe, Miliq kishte tentuar t’i pajtonte dy palët, të cilat kishin pasur konflikte më parë.

Pas vrasjes, dy policë nga sigurimi personal i Miliqit, së bashku me autorin e dyshuar, e nxorën kufomën nga restoranti dhe e dogjën pranë autostradës afër Shimanovcit. Ndërkohë, Miliq dhe një polic tjetër qëndruan në restorant për të zhdukur çdo gjurmë — duke fshirë pamjet nga kamerat e sigurisë.

Në lidhje me këtë rast janë arrestuar gjithsej nëntë persona, përfshirë tre policë. Opozita serbe ka reaguar me ashpërsi, duke kërkuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Ivica Daçiq, dhe drejtuesve të lartë të policisë, duke e cilësuar aferën si dëshmi të qartë të ndërthurjes së strukturave shtetërore me grupet kriminale.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *